Profesori universitar Flamur Hyseni ka thënë se Rregullorja e Punës së Kuvendit është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Në “Konfront” të KTV-së, Hyseni ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese se e drejta e propozimit për nënkryeparlamentar nga radhët e komunitetit serb i takon shumicës së deputetëve të këtij komuniteti. Ai ka thënë se problematika në këtë rast qëndron te Rregullorja.
Sipas tij, mosvotimi i një kandidati është shprehje e qëndrimit politik dhe nuk duhet të ndërlidhet me çështjet që janë trajtuar nga Kushtetuesja.
“Çështja që është me rëndësi, është se Rregullorja e Punës është në kundërshtim me Kushtetutën. Rregullorja është gabim. Tek Rregullorja ka probleme sepse ka prekur çështje të materies kushtetuese për çka nuk është dashur. Ajo është në kundërshtim me nenin 76”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Rregullorja “ka synuar të rregullojë apo interpretojë dispozita kushtetuese”.
“Këtu ka rregullim të dyfishtë. Diçka tjetër thotë Kushtetua neni 67 posaçërisht paragrafi 4 dhe diçka tjetër neni 76 në Kushtetutë, e kur e lexon Rregulloren kemi rregull të dyfishtë. Cila është logjika që rregullorja të ketë fuqi më shumë se Kushtetuta? Rregullorja është e natyrës organizative. Puna e kuvendit, funksionimi i i tij, por jo edhe materia kushtetuese që është e rregulluar në aktin më të lartë juridiko-politik. Në vendim përmendet 10 herë rregullorja, një herë Kushtetuta”, ka thënë ai.