Arbëri

Hyseni: Një marrëveshje me VV-në do të duhej të përfshinte edhe çështjen e presidentit

Ekrem Hyseni

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni, ka deklaruar se në rast të një marrëveshjeje politike mes Lëvizjes Vetevendosje dhe LDK-së, do të duhej të ishte gjithëpërfshirëse “duke përfshirë edhe çështjen e presidentit”.

Ai ka deklaruar të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se letra e Lëvizjes Vetëvendosje për kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, është ftesë për bashkëqeverisje që tha se s’ka pasur deri sot, duke shtuar se kjo ftesë “duket se u bë si rezultat i tentimeve për të kaluar një emër për kryeparlamentar”.

“Ky ka qenë një test për numrat në Kuvend, pas dështimeve erdhi ftesa, që në esencë ka elemente të panevojshme, sepse flitet edhe për anëtarë të brendshëm të LDK-së dhe ndikimin e tyre. Kjo është diçka që i takon LDK-së e asnjë partie tjetër”, ka thënë Hyseni.

Ai u shpreh se përbërja aktuale e Lidhjes Demokratike është hezituese për koalicione, duke shtuar se “këtë përgjigje Albin Kurti e ka marrë disa herë”.

“LDK-ja ka qenë konsistente dhe e përmbajtur. Letra i është drejtuar Abdixhikut dhe së shpejti do ta marrë edhe përgjigjen...Si LDK nuk bëhet fjalë për emrin e Haxhiut, por për qëndrimet tona karshi partisë në pushtet...Edhe nëse ndërrohet emri, prapë jemi në këtë qëndrim”, ka thënë Hyseni.

Deputeti i LDK-së u shpreh se kjo parti është e gatshme “për çfarëdo skenari të mundshëm kushtetues”, por shtoi se Kosovës nuk i konvenojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

I pyetur për emrin e kryeparlamentarit, Hyseni ka shtuar se VV-ja ka pasur emra të tjerë që ka mundur t’i propozojë.

“Mendoj se ka deputetë që kanë mundur të jenë të devotshëm për kryetar të Kuvendit. Po flas si aspekt politik. Koncepti për një koalicion gjithëpërfshirës duhet që në marrëveshje të jetë edhe zgjedhja e presidentit...Duhet të jetë edhe çështja e presidentit”, ka shtuar ai.