Ish-deputeti Enver Hoxhaj ka deklaruar se PDK-ja ka më së paku përgjegjësi për bllokadën institucionale që kur kanë përfunduar zgjedhjet e 9 shkurtit. Ai në emisionin “Interaktiv” në KTV ka thënë se kjo parti nuk ka pasur partneritet as me partinë e parë (LVV) e as me partinë e tretë (LDK).
Hoxhaj tha se për të ka qenë ëndrra më e keqe politike kur ka parë numrat e secilës parti në Kuvendin e Kosovës.
“LVV-ja e asnjë subjekt politik nuk i ka pasur votat e mjaftueshme për ta bërë qeverinë. Situata e 9 shkurtit, për dikë i cili për tërë mandatin ka qenë deputet, për mua ka qenë ëndrra më e keqe politike që mund ta shoh, kur i kam parë numrat në Kuvend të Kosovës, me premisën që askush nga ne — dhe ka qenë e drejtë — të mos bashkëpunohej me Listën Serbe. PDK-ja më së paku ka përgjegjësi gjatë këtij viti në raport me situatën politike në vend, meqë ne nuk kemi pasur partneritet as me partinë e parë as me partinë e tretë”, deklaroi Hoxhaj.
Ai tutje deklaroi se të tri partitë, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, e kanë për detyrë që ta bëjnë çdo ndryshim politik për ta fituar mbështetjen e qytetarëve, në mënyrë që — siç tha — të mos përsëritet 2025-ta.
“PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e kanë për detyrë që ta bëjnë ndryshimin politik duke pasur mbështetjen e qytetarëve. E kanë për detyrë t’i bashkojnë të gjitha energjitë në këtë vend me qëllim që të mos përsëritet situata të cilën e kemi parë në vitin 2025, kur në fakt ekzistenca e shtetësisë, demokracisë dhe kushtetutshmërisë është vënë në pikëpyetje. PDK-ja duhet të jetë sa më e hapur, të bisedojë me çdo subjekt politik, po ashtu edhe LDK-ja e AAK-ja”, deklaroi Hoxhaj.
Zgjedhjet nacionale janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 20.95, LDK-ja me 18.27 dhe AAK-Nisma me 7.8 për qind të votave.
LVV-ja ka siguruar 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, AAK 5, Nisma 3, ndërsa Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb. Një ulëse nga komuniteti serb e ka partia e Nenad Rashiqit, ndërsa dhjetë ulëset e tjera nga 120 sa ka gjithsej Kuvendi i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera.
Partitë politike në vazhdimësi kanë akuzuar njëra-tjetrën për bllokadë.
Hoxhaj: Procesi i shtetndërtimit është ndalur, ka mbetur aty ku e ka lënë PDK-ja në 2019-ën
Ish-deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, teksa foli për përgatitjet e kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka deklaruar për fushat në të cilat do ta kenë fokusin.
Hoxhaj në emisionin “Interaktiv” në KTV deklaroi se procesi i shtetndërtimit është ndaluar dhe ka mbetur aty ku e ka lënë PDK-ja në vitin 2019. Sipas tij, duhet që të përmbyllet edhe konsolidimi i shtetësisë së Kosovës.
“Gjatë këtyre dy javëve, një ekip i cili do të merret me hartimin, pjesë e të cilit jam edhe unë, do të japë kontributin në atë se cilat do të jenë prioritetet në zhvillimin ekonomik, arsim, shëndetësi, politikë të jashtme etj. Duhet të kemi bashkëbisedim me qytetarët për ta vlerësuar më mirë. Ne i dimë disa prioritete që i kemi. Një sektor i konsoliduar i tregut të lirë është kyç për çdo gjë në Kosovë, qoftë për punësim, qoftë për krijimin e një klime të mirë të biznesit, qoftë për ta rritur buxhetin, qoftë për eksport, qoftë për të pasur mirëqenie. Procesi i shtetndërtimit është ndaluar, ka mbetur aty ku e ka lënë PDK-ja në vitin 2019. Ne duhet që ta përmbyllim konsolidimin e shtetësisë sonë. Kemi edhe tema që kanë të bëjnë me sigurinë, p.sh. me sigurinë energjetike. Prandaj duhet të kemi debat edhe me strukturat e partisë, edhe me ekspertë, qytetarë e çdo shtresë”, ka deklaruar Hoxhaj në “Interaktiv”.