Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në konferencën për media të mbajtur lidhur me rastin në veri, ku një polic po përndiqet nga Serbia nën pretendimet se e ka dhunuar fizikisht një maturant të komunitetit serb, ka deklaruar se kjo situatë ndërlidhet me përndjekjen që Serbia po ua bënë zyrtarëve policorë në Kosovë. Ai ka njoftuar se polici që Serbia po e përndjek ka pranuar kërcënime me jetë, derisa për maturantin që u tha se ishte lënduar, drejtori i Policisë shtoi se s’ka pasur shenja dhune në qafë, por vizatim me marker.
Sipas tij, në pjesën ku pretendohet se ka pasur gjak si pasojë e dhunës nga zyrtari policor, ka pasur vizatim me ngjyrë, gjë që e ka deklaruar edhe vetë ai në polici në prezencë të prindit.
“Në media është shfaqur një person që pretendohet se është përdorur dhunë e tepruar nga zyrtari policor. Në pjesën ku pretendohej te kishte gjak ishin vizatime me ngjyrë. Edhe vetë pala në deklaratën në polici në prezencë e prindit të tij ka thënë se kanë qenë vizatime me marker dhe ka thënë që është traditë e maturantëve të ngjyrosen ashtu. Maturanti nuk ka shenja dhune në qafë. Bazuar në fakte dhe dëshmi, pretendimet se nuk ka pasur gjakosje të maturantit nga policia”, ka thënë ai.




Hoxha ka shtuar se vlerësimi i djeshëm i Serbisë, që ka shpallur fletarrest për policin, është në vazhdën e përndjekjeve të policëve të Kosovës.
Ai ka shtuar se zyrtari policor në fjalë ka pranuar kërcënime me jetë në rrjete sociale.
“Ai është transferuar në Mitrovicën e Jugut për të shmangur ndonjë incident të mundshëm”, ka shtuar ai.
Serbia ka lëshuar fletarrestim ndaj një pjesëtari të Policisë së Kosovës, që ka ndërhyrë në incidentin e së premtes në Mitrovicë të Veriut, kur në shesh marshuan maturantë serbë.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se polici do të arrestohet kurdo që të jetë e mundur dhe se fletarrestimi ndaj tij nuk do të shfuqizohet.
E pretendimet për dhunë ndaj maturantit, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i quajti propagandë të Serbisë.