Arbëri

Hoxha e PDK-së e quan të kundërligjshëm rritjen e sotme të shtesave për lehonat

Eliza Hoxha

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se vendimi i sotëm i Qeverisë në detyrë për t’i rritur shtesat për lehonat është në kundërshtim me ligjin. 

Hoxha në një postim në Facebook ka thënë se nuk është kundër që të mbështeten lehonat dhe fëmijët nga shteti, por ajo ka shtuar se Qeveria në detyrë i ka kompetencat e limituara, që mundësojnë vetëm funksionet teknike brenda kornizës buxhetore të miratuar vitin e kaluar në Kuvend. 

“Le të kuptohemi drejt se askush nuk është kundër  që mbështetja e shtetit për lehonat dhe fëmijët të mos bëhet. Por vendimi i sotëm është i jashtëligjshëm edhe në kuptimin e kompetencës e edhe si shumë buxhetore totale. Është e pakuptimtë dhe e papranueshme se si një njeri i cili ka më së shumti mandate të fituara në zgjedhjet e fundit dhe ka mundësi ta bëjë qeverinë e të jetë kryeministër me kompetenca të plota  parapëlqen dhe vazhdon të rrijë kryeministër në detyrë ilegalisht dhe deputet njëkohësisht”, ka shkruar Hoxha. 

Ngjashëm ka vlerësuar edhe Eugen Cakolli i KDI-së. Cakolli tha se rritja nuk është në përputhje me ligjin. 

“Askush s’e konteston që mbështetja e shtetit për lehonat dhe fëmijët është e drejtë dhe e duhur. Por vendimi i sotëm, për të dyfishuar përfitimet e tyre mujore – që në total kap shumën prej 10 milionë eurosh – nuk është në përputhje me ligjin. Ligji parashikon që një qeveri në dorëheqje të kufizohet në ushtrimin e funksioneve teknike, të paraplanifikuara dhe brenda buxhetit vjetor e Planit të Punës të miratuar më parë. Asaj nuk i jepet e drejta të ndërmarrë veprime që ndryshojnë natyrën e përfitimeve publike apo krijojnë obligime të reja fiskale për qeverinë pasuese. Vendimi i sotëm nuk është as i planifikuar, as i justifikuar nga ndonjë situatë emergjente. Përkundrazi, ai përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në politikën sociale dhe fiskale, duke shkuar përtej rolit teknik të një qeverie kalimtare. Përmes këtij akti, Qeveria ka kaluar nga roli i administrimit të përkohshëm institucional në pozitë politikëbërëse – pa mandat, pa kontroll parlamentar dhe jashtë çdo logjike demokratike”, ka shkruar Cakolli në Facebook.