Kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar nisjen e konsultave me partitë politike për postin e presidentit. Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, të cilit iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale, ushtruese e detyrës së presidentes për gjashtë muaj do të jetë Vjosa Osmani.
shpejt do të marrë udhë edhe kjo. Sapo kanë ndodhur ndryshimet për shkak të akuzave të ngritura. Besoj, për pak ditë do t’i fillojmë konsultimet me akterët politikë për ta zgjidhur këtë çështje... Rruga kushtetuese është e qartë, unë do të insistoj që të përcillen të gjithë hapat kushtetues e jo të vendosen interesat politike para atij publik”, ka theksuar Hoti.
KOHA ka raportuar në vazhdimësi se LDK-ja do të tentojë arnimin e Qeverisë duke e përfshirë PDK-në, së cilës është e gatshme t’ia ofrojë postin e presidentit dhe disa ministri.
Në PDK kanë mohuar të ketë pasur diskutime për t’u bërë pjesë e ekzekutivit. Megjithëkëtë, zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyqi, ka thënë se do ta trajtojnë çdo ftesë zyrtare për takime.
nuk ka pranuar asnjë ftesë e ofertë për të qenë pjesë e Qeverisë. Përderisa në PDK kjo çështje fare nuk është diskutuar. As hyrja në Qeveri e as ndonjë emër për president të vendit. Partia Demokratike e Kosovës çdo ftesë zyrtare e trajton, por përderisa ende nuk ka ardhur nuk do të paragjykoj përmbajtjen e saj, e aq ma pak përgjigjen. Këtu besoj që PDK është treguar konsistente lidhur me këto tema”, ka thënë Bytyqi.
Ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje s’do të përkrahë asnjë kandidat për president, pa zgjedhje të jashtëzakonshme. Kryetari i këtij subjekti, Albin Kurti, ka thënë të dielën se Qeveria aktuale nuk ka as legjitimitet e as autoritet për iniciativa të reja.
“Nuk mund të ketë unitet pa legjitimitet. Presidenti a presidentja e re duhet ta përfaqësojë unitetin e popullit. Nuk mund të bëhet në kushte kur kemi qeveri të paligjshme. Nuk kam pasur takime për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ka ushtruese detyre të presidentit, nuk është e zbrazët ajo karrige edhe për së paku gjashtë muaj teorikisht në bazë të Kushtetutës sonë”, ka thënë Kurti.
VV-ja ka 31 deputetë që janë të pamjaftueshëm për ta shtyrë përpara rrëzimin e Qeverisë me mocion mosbesimi, të cilin prej muajsh e ka paralajmëruar. Ndërsa LDK-ja dhe PDK-ja e kanë të pamundur ta zgjedhin presidentin vetëm me përkrahjen e komuniteteve joshumicë, pa 14 votat e deputetëve të Aleancës. Sipas Kushtetutës, presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, por me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim.
Para disa javësh Ramush Haradinaj e shpalli kandidaturën e tij për president, duke i çuar sinjale LDK-së se nëse nuk e mbështet, as partia që drejton ai nuk do ta përkrahë dikë tjetër. Javën e kaluar Haradinaj ua kërkoi votën të gjitha partive për kandidaturën e tij për president, duke iu premtuar se atë do t'ua kthente në ndonjë çështje në të ardhmen.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se vendi ndodhet në ngërç politik dhe do të jetë vështirë zhbllokimi i tij, marrë parasysh qëndrimet e partive.
“Në pamundësi të dakordimit për zgjedhjen e presidentit të ri, atëherë zgjedhjet janë të pashmangshme. Në këtë drejtim, LDK-ja si partia më e madhe në koalicionin aktual qeverisës e ka në një formë detyrë që të sigurojë votat e nevojshme për të zgjedhur një president të ri, pavarësisht se kush mund të jetë emri i individit. Sidoqoftë, konsideroj që marrë parasysh polarizimin e skajshëm politik që ndodhet aktualisht, si dhe nisur nga deklarimet publike prej të gjitha subjekteve politike lidhur me preferencat për kandidatin për president të vendit, atëherë e shoh vështirë të arritshëm një dakordim mes spektrit politik për emrin e presidentit brenda kësaj legjislature”, ka thënë Cakolli.
Në këtë drejtim, sipas tij, LDK-ja po ashtu ka për obligim që të gjejë një rrugëdalje nga kjo situatë, meqë në radhë të parë është duke e penguar funksionimin e rregullt të jetës parlamentare.
“Në anën tjetër, posti i presidentit nuk është një çështje për të cilën ka shumë kohë në dispozicion, meqenëse afati prej dy muajsh brenda të cilit duhet të zgjidhet ai konsideroj se do të duhej të fillonte që nga dita e dorëheqjes së presidentit Thaçi”, ka theksuar Cakolli.
Kushtetuta lejon mundësinë që në rast të dorëheqjes së parakohshme të shefit të shtetit, legjislatura aktuale ta zgjedhë presidentin e ri me mandat të plotë pesëvjeçar.
Në dy raundet e para kërkohet që të zgjidhet me dy tretat, pra 80 vota, ndërsa në të tretin kërkohen 61 vota, me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim. Nëse në votimin e tretë asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë ditësh.
Sipas nenit 86.3 secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidat për president të Republikës së Kosovës, “nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president të Republikës së Kosovës”.
Aktualisht koalicioni qeverisës ka një shumicë të brishtë prej 61 votash, e pamjaftueshme kjo për zgjedhjen e presidentit. Por shumicë nuk kanë as subjektet që përbëjnë opozitën - LVV-ja me 31 deputetë dhe PDK-ja me 24.
Brishtësia e koalicionit ka bërë që të mos sigurohen as votat minimale të shumicës së thjeshtë për t’i kaluar projektligjet. Për pasojë, kanë dështuar disa herë rresht të miratohen shumë ligje, përfshirë ato që ndërlidhen me pandeminë COVID-19.