Liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë kryeministrin Avdullah Hoti, kanë shprehur nevojën për avancim bashkëpunimi, e veçmas në fushën e lirisë së qarkullimit të njerëzve dhe të mallrave. Këtë e deklaruan në një samit virtual të organizuar nga Këshilli Atlantik.
Kryeministri Hoti ka thënë të ketë barriera, që për burim e kanë burokracinë.
"Është gjë e mirë kjo qasje e bashkëpunimit shumëpalësh dhe ideja se nëse dy shtete kanë marrëveshje dypalëshe, ajo marrëveshje dhe ato kushte duhet të jenë në dispozicion të të gjitha shteteve tjera. Kjo ndihmon në heqjen e barrierave burokratike që kemi”, ka deklaruar ai.
Kreu i Qeverisë së Kosovës ka dhënë sinjale se është pro bashkimit të tregut mes vendeve të rajonit, pavarësisht se iniciativa për mini-Shengenin ballkanik ishte kundërshtuar në masë në Kosovë.
“Ekonomitë tona individualisht janë të vogla në aspektin e fuqisë së tregut dhe kërkesës së tregut. Nëse bashkëpunojmë mund ta plotësojmë njëra tjetrën dhe ta përdorim ekonominë e shkallës”, ka shtuar Hoti, raporton KOHA.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte në mesin e iniciatorëve të mini-Shengenit, bashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe ish-kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev. Por, iniciativën nuk kanë mundur ta jetësojnë, shkaku që ajo nuk pati siguruar mbështetje në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë.
Rama tani ka thënë se goditjet që ekonomitë e vendeve të rajonit kanë marrë nga pandemia COVID-19, duhet kompensuar me jetësimin e bashkëpunimit rajonal.
“Në këto kushte ne mund të kompensohemi me më shumë bashkëpunim. Por jo të ripërsërisim çfarë kemi përsëritur për vite. Aq lehtë sa ç’e bëjmë kur bëjmë një Këshill tjetër, ta bëjmë dhe në këtë format. Nëse ju Këshilli Atlantik, dhe të tjerët gjithashtu, të tjerët që janë prezentë, BE-ja dhe të tjerë, nëse do na bashkoheshit, do ishte shumë ndihmë. Duhet të ecim më shpejt, dhe të mos dëgjojmë politizimin që i bëhet këtij procesi”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Presidenti serb, ndërkaq, ka thënë se për shtetin e tij është shumë me rëndësi që rajoni të jetë një treg i vetëm. Megjithëkëtë, ndër pengesat për ta bërë këtë, ka përmendur edhe raportet Kosovë-Serbi.
“Këtu kemi një shtet që do të donte të ikte nga rajoni, është përplasja e shumënjohur politike mes Beogradit dhe Prishtinës, nuk është faji i Avdullah Hotit apo imi... Duhet të mundohemi ta zgjidhim atë çështje ndonëse nuk jam absolutisht optimist rreth kësaj... ka edhe disa çështje tjera mes, edhe me Bosnjën”, ka thënë ndërkaq presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Samiti, pjesë e të cilit ishin edhe përfaqësues nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, është organizuar nga Këshilli Atlantik, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Uashington, e që për fokus ka politikën e jashtme.
Nënpresidenti ekzekutiv i Këshillit, Damon Mac Wilson, tha se samiti është organizuar me qëllim të nxitjes së rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë, dhe se liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, të janë pajtuar për veprime të guximshme. Sipas tij, pajtim është arritur për zbatimin e katër lirive, përfshirë lirinë e qarkullimit të njerëzve dhe të mallrave.