Arbëri

Hoti: Kosova rrezikon humbje ekstreme në turizëm me liberalizimit të tregut të energjisë

Kryetari i Unionit të Turizmit në Kosovë, Baki Hoti, ka thënë se Kosova rrezikon të ketë humbje ekstreme në këtë fushë, po që se vazhdohet me çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë që ka hyrë në fuqi më 1 qershor.

Sipas tij, ka shumë biznese që kanë mbi 50 punëtorë apo qarkullim mbi 10 milionë euro në vit dhe që preken nga liberalizimi i tregut të energjisë. Ka thënë se po që se institucionet nuk marrin masa për të ndalur këtë proces – që sipas bizneseve po çon në shtrenjtim të jashtëzakonshëm të energjisë për ta – atëherë në Kosovë do të ketë humbje të mëdha dhe mbyllje të bizneseve.

“Bizneset e turizmit preken. Nuk diskutohet. Kemi përplot hotele që kanë mbi 50 punëtorë, por kanë edhe mbi 10 milionë euro vlerën qarkulluese vjetore. Ajo ndikon direkt te kjo çështje. Ne kemi adresuar kërkesa zyrtare te të gjitha institucionet. Jemi munduar në formën – në zhargonin e turizmit që ta elaborojmë e t’i arsyetojmë këto shkresa dhe çka mund të ndikojnë. Paramendojeni nëse hotelet s’mund t’i përballojnë këto dhe t’i ngritin çmimet ende. Atëherë çka do të ndodhë? Një numër tepër i madh i vizitorëve nuk do të qëndrojnë në Kosovë. Do të shkojnë në Maqedoni e gjatë ditës do të vijnë shëtitje në Kosovë. Çka përfiton Kosova? Kurrgjë hiq. Humbje ekstreme. Pastaj te pjesa e punëtorëve - mund të ketë reduktime ose biznesi do të mbyllet. Janë disa modalitete se si do të veprojë biznesi sepse nuk operon me humbje askush”, ka thënë Hoti në emisionin “60 Minuta” në KTV të premten.

Ai ka deklaruar se bizneset po i presin faturat e fundmuajit për të vepruar. Sipas tij, prekja e industrisë së turizmit si industri shërbyese prek zinxhir sektorësh. Ai ka thënë se nga kjo industri direkt preken edhe ajo e pijeve, ushqimeve, mishit e të tjera. “Turizmi është hallka kryesore e të gjitha industrive të tjera. Kur s’ka turizëm e lëvizje të njerëzve s’mund të funksionojë asgjë”, ka thënë ai.

Sipas Hotit, Kosova tash e sa vite ka rritje të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë. Vitin e shkuar rritja ka qenë mbi 30 për qind, ndërsa sipas tij sivjet rritja po vazhdon.  Teksa ka pranuar se çmimet në turizëm në Kosovë janë të larta në raport me shtetet fqinje, ai ka thënë se përkrahja institucionale është e dobët dhe se asnjëra qeveri deri tash s’e ka pasur prioritet turizmin. Këtu ka thënë se është e nevojshme që Kosova ta ketë një ministri të turizmit.