Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka thënë se përmendja e emrit të tij për pozitën e presidentit, ishte asgjë më shumë se sa një përpjekje e sinqertë për të tejkaluar një ngërç politik, për hir të stabilitetit institucional.
Në një postim në Facebook ka shkruar se u bë për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të pesta për një kohë të shkurtër.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Emri im në rastin e Presidentit nuk ishte asgjë më shumë e as më pak se një përpjekje e sinqertë për të tejkaluar një ngërç politik, jo për hir timin, por për hir të këtij populli dhe stabilitetit institucional.
Për të shmangur zgjedhjet e pesta brenda një viti. Për të shmangur maltretimin e qytetarëve të Kosovës me krizë të njëpasnjëshme politike”, ka shkruar ai.
Ai ka folur edhe për Partinë Demokratike të Kosovës, pjesë e të cilës ishte. Ka deklaruar se i ka mbrojtur edhe kur kanë dashur ta largojnë e kur e kanë sulmuar.
“Asnjëherë nuk kam drejtuar një fjalë kundër tyre. As pasi u emërova Kryesues i Komisionit për Persona të Zhdukur nga Kryeministri Kurti. As gjatë fushatës në dhjetor 2025 si kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje. Përkundrazi. Edhe kur ata donin të më largonin me çdo kusht, unë i mbroja. Edhe kur më lanë “te dera”, siç u tha pardje me cinizëm, unë heshtja. Edhe kur më sulmonin pa ndalur nga brenda, unë duroja. Kam respektuar çdo individ aty, edhe atëherë kur nuk e meritonin.
Ditën e dytë të fushatës sime si kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje e kam thënë qartë në media:
‘Të kaluarën time nuk e mohoj. Njerëzit vazhdoj t’i respektoj’. Fatkeqësisht, pardje u përdor një përçmim e cinizëm i ulët. Me një nënqeshje u tha se unë “e paskam vendin te dera”. Ndoshta për disa dera është vendi ku kalojnë jetën duke pritur të takojnë “shefat”. Prandaj edhe u duket se të gjithë e kanë vendin aty. Edhe më ironike është se dy herë nuk arritën as te dera e Kryeministrisë për ta marrë atë post, edhe pse kishin një parti me fuqi të madhe”, ka shkruar ai.
Tutje në postimin e tij ka thënë se konfirmon çdo detaj të fjalëve të kryeministrit Albin Kurti në raport me çështjen e Presidentit dhe përmendjen e emrit të tij. Ka shtuar se ai u shantazhua me formulën “veç nëse don”.
“Jo të dëgjuara, por të parë me sytë e mi. Një lider politik, Kryeministër me mbi 50% të besimit të popullit, u tentua të shantazhohej me formulën “veç nëse don…”. Në atë moment nuk u mendua për popullin, për shtetin, për të ardhmen e vendit. U mendua vetëm për pazarin. Pse? Sepse për disa kjo ka qenë sistem. Ka qenë normalitet. Ka qenë mënyra si është bërë politika për vite të tëra. Dhe është e kuptueshme që për një mendësi të mësuar me pazare është e vështirë të pranojë një Kosovë ndryshe, një Kosovë pa tregti politike, me vendosmëri dhe me parime”, ka shtuar ai.
Hoti ka shkruar se vendi për të cilin është derdhur gjak po vazhdon të mbahet peng nga mania për pushtet.
“Vendi për të cilin është derdhur gjak, përfshirë edhe gjakun e babait tim, axhës tim dhe gjyshit tim, po vazhdon të mbahet peng nga mania për pushtet: ku pazari është instrumenti kryesor për qeverisje, ndërsa vota e popullit trajtohet si pengesë. Por në fund gjykon vetëm një: populli.
Ai ka gjykuar. Dhe ai do të gjykojë përsëri, për secilin prej nesh. Një gjë, megjithatë mbetet edhe më cinike. Sulmet ndaj meje, jo për atë çfarë kam bërë, por për atë se i kujt jam”, ka thënë ai.