Arbëri

Hetohet tenderi për furnizim me shtretër dhe pajisje të dializës në QKUK

Tenderi për furnizim me shtretër dhe pajisje të dializës në QKUK, me vlerë mbi 800 mijë euro, është bërë objekt hetimi nga organet e hetuesisë. Pavarësisht se QKUK-ja pretendon se procedura është zhvilluar sipas ligjit, disa nga kompanitë pjesëmarrëse kanë ngritur akuza për parregullsi dhe favorizim të kompanisë fituese. Ato kanë paralajmëruar ankesë edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit

Disa kompani janë ankuar në QKUK e kanë paralajmëruar ankesë edhe në OSHP për tenderin për furnizim me shtretër dhe pajisje të dializës në QKUK. 

Para disa ditëve ky tender për të cilin kishin aplikuar gjithsej pesë kompani, është fituar nga kompania “Medi Health”. 

Tenderin me vlerë prej 843,750 eurosh, pas shpalljes së fituesit janë duke e hetuar organet e hetuesisë, kanë konfirmuar në QKUK. 

Megjithatë, sipas zyrtarëve të QKUK-së, procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin.

“Operatorët ekonomikë kanë të drejtë kërkese për rishqyrtim të vendimit te Autoriteti Kontraktues. Me këtë aktivitet të prokurimit janë marrë edhe organet e hetuesisë, kështu që nuk e shoh të arsyeshme të jap më shumë komente në këtë fazë”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Operatorët që kanë marrë pjesë në këtë tender kanë thënë se ankesat e tyre në QKUK nuk janë marrë fare parasysh. 

Arben Ismajli, drejtor i kompanisë “Ko Med”, vlerëson se ky tender ka qenë i kurdisur. 

"Shpallje katastrofale, amatore. Nuk e di ku kanë parë këta që mund të bëjnë këtë lloj mënyrash. Jo në OSHP, por nuk kemi me lanë vende pa u ankuar. 110 mijë euro më lirë, që i plotësojmë të gjitha kushtet. Ne me të njëjtat aparatura kemi fituar në Podujevë, kurse këtu na rrëzojnë, edhe pse i plotësojmë. Ju kemi treguar se çka është modeli, e kanë në Podujevë. Edhe atje ai ka qenë pjesëmarrës, nuk ka mundur të më dërgojë në OSHP, nuk ka mundur të fitojë, se ka qenë me çmimin dy herë më shtrenjtë. Jemi duke e përgatitur letrën në OSHP, të premten e kemi bërë kërkesën për rishqyrtim, ata nuk e kanë lexuar, veç na e kanë refuzuar”, ka bërë të ditur Ismajli. 

Edhe Edmond Obertinca, drejtor i kompanisë “Medicom”, që kishte aplikuar në këtë tender me vlerën 584,505 euro ka treguar se do të ankohen edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

“Na jemi ankuar për përzgjedhje, se kemi qenë më të lirë. Na e kanë refuzuar sot, na e kanë kthyer negativ. Do ta dërgojmë në OSHP, se s’kemi shumë shpresa, është bërë një rreth i ngushtë, dhe pas OSHP-së me siguri do ta dërgojmë te Krimet Ekonomike, siç na sugjeron avokati ynë. Ky tender është kryekëput për këtë që ka fituar një ditë më parë”, ka theksuar Obertinca.

Obertinca thotë se edhe në përpilimin e specifikave teknike nuk ka marrë pjesë asnjë profesionist, asnjë nefrolog, dhe sipas tij, dhe përzgjedhja është bërë pa praninë e profesionistëve.

Drejtuesit e kompanisë “Argo Med” kanë thënë se komisioni nuk ka vlerësuar drejt. 

Ndërsa, të paqasshëm kanë qenë përfaqësuesit e kompanisë fituese “Medi Health”.  

Ky operator ekonomik një muaj më parë e kishte fituar tenderin emergjent për hemodializë me vlerë rreth 300 mijë euro, edhe pse në listën e gjobave të publikuara nga SHSKUK-ja, “Medi Health” del se është gjobitur për vonesa në furnizim disa herë në vitin 2024 dhe 2025.