Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka akuzuar opozitën e legjislaturës së kaluar se ka shprehur kundërshtime të vazhdueshme ndaj reformave në sistemin e drejtësisë, duke përdorur instrumentet kushtetuese për t’i zvarritur ato.
“Ata kanë dorëzuar komente në Gjykatën Kushtetuese kundër amendamenteve kushtetuese për procesin e vetingut, kanë kontestuar dy herë radhazi reformën në Këshillin Prokurorial dhe kanë sfiduar po aq herë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për krijimin e Byrosë për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së pajustifikuar. Në vend që të ofronte kontribut konstruktiv për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, opozita ka zgjedhur një qasje obstruksioniste, me qëllim të zvarritjes së proceseve reformuese”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Haxhiu ka thënë se sa ishte Lëvizja Vetëvendosje në opozitë ka kontestuar po ashtu çështje në Gjykatën Kushtetuese, por vetëm ato që janë konsideruar të dëmshme.
“Po, edhe ne gjatë kohës sa ishim në opozitë kemi kontestuar çështje në Gjykatën Kushtetuese, por gjithnjë dhe vetëm ato që janë konsideruar të dëmshme si psh Gjykata Speciale, Zajednica, Ligji për Amnistimin e kriminelëve serb, Demarkacioni me Malin e Zi e të tjera si këto”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka thënë se përkundër pengesave, reformat kanë avancuar.
“Vetingu ka marrë dritën e gjelbër, reforma në Këshillin Prokurorial u jetësua dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë është në fazën përfundimtare të shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, me pritje të miratohet. Pavarësisht vonesave dhe përpjekjeve për ta ndalur këtë proces, rruga drejt forcimit të shtetit të së drejtës është e pandalshme”, ka shkruar Haxhiu.