Arbëri

VV-ja propozon që zgjedhjet nacionale të mbahen bashkë me ato lokale

Albulena Haxhiu

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se në takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përmendur edhe idenë që në të njëjtën datë të zgjedhjeve lokale të mbahen edhe ato të përgjithshmet.

Kjo pasi sipas saj nuk po gjendet marrëveshje politike për krijimin e institucioneve.

Por ka theksuar se VV-ja është për konstituim të Kuvendit dhe formim të Qeverisë.

Ajo ka thënë se Osmani edhe në letrën që e ka drejtuar për Kuvendin, kryesuesit të seancës i kishte kërkuar që të gjitha partitë politike kanë për obligim që të diskutojnë që të gjejnë mënyrën për të dalë nga kjo situatë.

Haxhiu ka theksuar se ishte një ide që të shpallen dy palë zgjedhje, ato të jashtëzakonshme bashkë me ato lokale.

Ka shtuar se me këtë ide është pajtuar edhe Partia Demokratike e Kosovës .

“Qëndrimi ynë është për. Për neve është e rëndësishme që Kuvendi të konstituohet, të votohet qeveria, por nëse sot ka qenë e 18-ta seancë prej 1 majit, prej kur ka filluar propozimi për votimin e fshehtë nuk ka vullnet atëherë ne nuk po shohim zgjidhje. Edhe PDK-ja është pajtuar besoj që edhe kryetari mund ta thotë këtë. Ideja ishte e imja për faktin se edhe sot e përmenda në paraqitjen para mediave dhe ju referuan asaj deklarate dhe unë isha shumë e vullnetshme që të diskutojmë edhe për këtë por ju e dini që duhet ta konstituojmë Kuvendin, duhet ta shpërndajmë Kuvendin, por për këtë duhet marrëveshje politike. Edhe një herë për ta qartësuar, qëndrimi i Lëvizjes është që të konstituohet Kuvendi, të votohet qeveria por meqë nuk ka vullnet politik mund t`i kemi të dyja zgjedhjet bashkërisht”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se sa i përket Vetëvendosjes, është e rëndësishme që zgjedhjet lokale të mbahen sa më shpejtë aq më mirë.

“Nëse zgjedhjet shpallen nesër është mundësi që zgjedhjet të mbahen me datat 5, 12 dhe 19 tetor. Këto ishin dy-tri datat që u përmenden më së shumti. Qëndrimi ynë është që sa më herët që shpallen aq më mirë, duke pasur parasysh që mund të shkohet në balotazh. LVV-ja ka nisur me shpalljen e kandidaturave. Në komunat që udhëheqim do të vazhdojmë me kryetarët e njëjtë. Shumë shpejt do t’i kemi të gjitha kandidatët për kryetarë”, ka thënë ajo.

VIDEO:

Lexo përditësimet tjera
Osmani në takim me përfaqësuesit e partive politike

Osmani takon përfaqësuesit e partive për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale