Arbëri

Haxhimusa: Është shantazh ajo që po bëhet me furnizimin me energjinë elektrike

Adhurim Haxhimusa, njohës i fushës së energjisë, e ka quajtur papërgjegjësi të madhe çështjen me furnizimin me energji elektrike, derisa ka theksuar se kjo situatë ka të bëjë me shantazh nga persona që e shfrytëzojnë vakumin politik në  vend.

Ai në “Interaktiv” ka shtuar se fajin e hedh te KEK-u dhe mënyrën se si menaxhohet, pasi sipas tij, me gjithë kapacitetin gjenerues që e ka “duhet ta dijë përgjegjësinë që e ka për furnizim stabil me energji elektrike”.

“Në Kosovë për fat të keq kemi një lloj paralizimi institucional, kemi KEK-un që ka dy vjet pa menaxhment funksional, me ushtrues detyre. KOSTT për më shumë se një vit ka qenë edhe ai me ushtrues detyre, ZRRE po ashtu institucion i cunguar ku nga muaji në muaj ka shkuar duke iu cunguar funksionaliteti i tij, kemi parlament të pakonstituuar, kemi qeveri që sillet vërdallë dhe nuk i ka kompetencat e plota. Kemi një paralizë institucionale që këtë paralizë janë duke e përdorur disa persona, kjo është një formë e thjesht e shantazhit që i bëhet furnizimit stabil me energji elektrike. Ky është shantazh sepse është total papërgjegjësi e madhe”, ka thënë ai.  

Haxhimusa ka potencuar se KESCO i ka duart e lidhura për ta siguruar furnizimin me energji elektrike sepse, siç ka sqaruar ai, nëse do të rritej sasia e importit do të rriteshin edhe tarifat për qytetarët.

“Problemi qëndron se KESCO e ka të kufizuar sasinë e energjisë që i lejohet ta importojë për shkak të çmimeve të larta. Nëse importohet shumë ajo përcillet te konsumatorët me tarifa më të larta dhe si një lloj sigurese për të mos pasur rritje të tarifave bëhen edhe ndërprerje të energjisë elektrike. Edhe KESCO i ka duart e lidhura për të siguruar furnizim me energji. ZRRE është institucioni vetëm që çdo lëvizje mund ta vrojtojë, nuk mund asnjë kilovat orë të gjenerohet pa qenë mirë e informuar ZRRE”, ka thënë Haxhimusa.