Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosja nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli ka dhënë dorëheqje nga partia të cilës i përket.
Këtë thotë se e ka bërë në shenjë proteste ndaj sulmeve që sipas tij, po i bëhen presidentes Vjosa Osmani.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në shenjë proteste, dhe për të mos identifikuar veten me këtë fushatë të ulët, kam vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme, nga të gjitha pozitat në Partinë Guxo. Uroj dhe shpresoj që, për hir të Kosovës dhe të ardhmes së fëmijëve tanë, kjo dorëheqje e ime, si deputet në 5 mandate, 3 mandate nga lista me VV, të ju shërbej sa do pak që të mendoni me kokë të ftohur, që të jetë apel nga një deputet që ka dhënë shumë për këtë 50% e 51% , që ta ndërroni strategjinë denigruese, ta ndalni gjuhën e urrejtjes dhe dhunës”, ka shkruar ai.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se fushata e thirrjes për dhunë është e rrezikshme dhe e papranueshme për të.
“Sulmet e paskrupullta ndaj Presidentes Osmani, deri edhe në thirrje për pushkatim, si dhe linçimet publike ndaj saj nga figura të njohura e panjohura, përfshirë edhe sulme ndaj fëmijëve të saj, janë një politikë që do të duhej t’i përkiste së kaluarës së hidhur. Manipulimet me inteligjencë artificiale, të cilat e dehumanizojnë Presidenten dhe ata që mendojnë ndryshe, vetëm që të nxisin urrejtje të pakontrollueshme, e për qëllime elektorale me të vërtet janë të gërditshme. Si njeri që gjithmonë ka promovuar paqen, dialogun, mirëkuptimin dhe respektin edhe me njerëz me të cilët kemi dallime politike, unë nuk mund të rri i heshtur e i strukur përballë një situate të tillë”, ka shkruar ajo.
Ai ka thënë se qëndrimin e tij për procesin e fundit politik, e ka thënë publikisht në mbledhjen GP të VV-së në prani edhe të kryeministrit Albin Kurti, e poashtu edhe në kryesi të Partisë Guxo.
“Në disa, me respekt të ndërsjelltë, jemi pajtuar, që s’po pajtohemi me orientimin që po merrte shumica e grupit tonë politik. Por edhe pse ishte ky mospajtim politik i rrallë mes nesh, nuk do ta kisha menduar kurrë që do pasonte kjo fushatë bazuar në linçim, fyerje, shpifje të ulëta e deri në kërcënime nga kolegë deputetë, politikanë, miq të mi të njohur e panjohur, nga mu ata që deri para 5 ditësh e quanin Vjosa Osmanin krenari të Kosovës”, ka shkruar ai.
Guxo: Për dorëheqjen e Avdylit e kuptuam nga mediat dhe rrjetet sociale
Partia Guxo ka njoftuar se dorëheqjen e deputetit Haxhi Avdyli e kanë kuptuar nga rrjetet sociale dhe mediat.
Në një postim të shpërndarë edhe nga kryetarja e kësaj partie, Donika Gërvalla, thuhet se kryesia e pranon këtë dorëheqje dhe e sheh si të drejtën dhe zgjedhjen e tij të vullnetshme dhe të pakontestueshme.
“Në të njëjtën kohë, në emër të anëtarësisë dhe përkrahësve, Partia Guxo e falënderon deputetin Avdyli për rrugëtimin e përbashkët të derikëtushëm si dhe kontributin që ka dhënë për Partinë Guxo. Si kryesi e Partisë Guxo i dëshirojmë shëndet dhe elan për punë të mbara e shumë suksese në angazhimet e ardhshme profesionale”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se Partia Guxo nuk është përfshirë në linçime publike të askujt.
“Në fund, për shkak të disa pretendimeve për motivet e dorëheqjes, e ndjejmë obligim të konfirmojmë se askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt e aq më pak të Presidentes së Republikës. Partia Guxo angazhohet me ngulm për respektimin e rendit, ligjit dhe kushtetueshmërisë në të gjitha zhvillimet në vend duke përfshirë edhe zhvillimet e fundit”, thuhet tutje në njoftim.
Avdyli ka deklaruar më herët se dorëheqjen e ka bërë në shenjë proteste ndaj sulmeve, që sipas tij po i bëhen presidentes Vjosa Osmani.