Arbëri

Hasani: Osmani ishte aleate e Kurtit deri në momentin kur i shkoi për vizitë Ramës në Tiranë

yhas

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani ka qenë aleate e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në dy vitet e para të mandatit. 

Sipas tij, ndryshimi në marrëdhëniet mes Osmanit e Kurtit ka ndodhur pas vizitës së presidentet në Tiranë dhe takimit me kryeministrin atje, Edi Rama. 

“Dy-tre vjet, deri kur ka shkuar në vizitë tek Edi Rama, aty ka ndryshuar çdo gjë. Ato dy vjet nuk ka pasur asnjë dallim me Kurtin... Prej vizitës në Tiranë gradualisht ka filluar të ndryshohet dhe dukej se është vetvetja, deri aty nuk ka qenë vetvetja”, ka thënë ai në Konfront.  

Hasani ka theksuar se presidentja Osmani gjatë detyrës e ka shkelur Kushtetutën disa herë. 

“Por presidenti t‘i thërrasë me emra Supremen, me i lënë organet e drejtësisë pa epror, anëtari i Gjykatës Kushtetuese që është minoritet t’i thuhet kriminel, kjo në botë s’ndodh. Qysh s’e ka shkel (Kushtetutën)”, shtoi ai.


Hasani: Albin Kurti mes dy anktheve që do t’ia sjellë Vjosa Osmani

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori universitar, Enver Hasani, ka vlerësuar se kryeministri në detyrë Albin Kurti ndodhet përballë dy skenarëve të vështirë politikë në raport me presidenten Vjosa Osmani, të cilat, sipas tij, mbartin rreziqe serioze për stabilitetin e ardhshëm politik në vend.

Sipas analizës së Hasanit, në rast se Kurti vendos ta mbështesë sërish Osmanin, ai do të hyjë në një fazë ankthi politik, pasi bëhet fjalë për mandatin e fundit të saj dhe, siç thekson ai, presidentja nuk do të ketë më nevojë për kompromise apo llogaridhënie politike.

“Kurti është mes situatës me zgjedh edhe një herë Osmanin si presidente dhe me nejt në ankth që e pret në besë, sepse është mandati i fundit i Osmanit dhe s’ka nevojë për kërkesa apo kompromise”, ka deklaruar Hasani në “Konfront” të KTV-së.

Në skenarin tjetër, sipas tij, mosmbështetja e kandidaturës së Osmanit mund të çojë në përplasje të ashpra politike dhe në nxjerrjen në publik të, siç i ka quajtur ai, “të larat e të palarat” e bashkëpunimit pesëvjeçar mes tyre.

“Kjo situatë mund të prodhojë pasoja politike që mund të çojnë edhe në zgjedhje të reja.Pra, Kurti do të zgjedhë mes këtij ankthi që e pret në besë mandatin e dytë apo t’ia nxjerrë të palarat në rast mos mbështetje”, ka shtuar Hasani.


Hasani: Politikanët në pushtet e kanë kompleks që s'ishin pjesë e procesit të pavarësisë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se politikanët që kanë ardhur në pushtet vitet e fundit e kanë kompleks faktin se nuk kanë qenë pjesë e procesit të pavarësisë së Kosovës.

Ai ka theksuar se aktualisht zgjedhje e presidentit është pjesë kyç e kalkulimeve të partive politike.

“Politikanët që kanë ardhur në pushtet këto vite kompleksin më të madh e kanë që nuk kanë qenë pjesë e proceseve të 17 shkurtit 2008 dhe proceseve të mëhershme. Po mundohen ta krahasojmë, por nuk krahasohen Pavarësia e Kosovës dhe vendimi i GJND-së me kurrgjë”, ka thënë ai në Konfront.


Hasani: Trump ka arritje kolosale, ka nxjerr nga loja Kinën, Rusinë e Iranin

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori universitar, Enver Hasani, ka vlerësuar se presidenti amerikan Donald Trump ka realizuar arritje të mëdha në politikën e jashtme, duke e nxjerrë nga loja Kinën, Rusinë dhe Iranin në disa rajone kyçe të botës.

Hasani ka theksuar se në vlerësimin e veprimeve të Trumpit duhet bërë dallim substancial mes asaj që ai thotë dhe asaj që realisht bën në praktikë.

“Trumpi i ka disa të arritura kolosale në politikën e jashtme që s’ka mundur t’i bëjë asnjë administratë tjetër”, ka deklaruar Hasani në “Konfront” të KTV-së.

Sipas tij, një nga arritjet kryesore të Trumpit është neutralizimi i Iranit si rrezik dhe si hegjemoni rajonale, duke ndryshuar balancat e fuqisë në Lindjen e Mesme.

“Sot mund të thuhet se në Lindjen e Mesme, Kina dhe Rusia kanë ndikim pothuajse të papërfillshëm”, ka theksuar ai.

Hasani ka shtuar se në hemisferën perëndimore, Trump ka arritur ta tërheqë plotësisht Rusinë nga loja, duke forcuar ndikimin amerikan në këtë pjesë të botës.