Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se po të kishte pak sens të drejtësisë, presidentja Vjosa Osmani nuk do të dërgonte komente në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendosjen e masës së përkohshme përmes së cilës ky institucion ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Hasani ka deklaruar se ajo nuk do të duhej të dërgonte komente pasi nuk po sfidohen vendimet e saj.
“Po të kishte pak sens të drejtësisë ajo, meqenëse nuk bëhet fjalë për aktet e saj, nuk po sfidohen vendimet e saj, nuk do të kishte çuar fare komente. Gjykata ua dërgon të gjithëve organeve qendrore, të cilat potencialisht do të mund të afektoheshin. Por ia ka dërguar meqenëse e ka thirrur mbledhjen e parë. Por po të ishte në rregull, të luhej roli fiks kushtetues nuk do të ishte marrë me atë punë”, ka thënë ai.
Hasani ka shtuar se Osmani po e synon mandatin e dytë dhe teksti i dërguar nuk është juridik.
“Ajo qartë shihet se e synon mandatin e dytë, që është legjitime dhe kërkesën unë e lexova, është gjithçka përveçse tekst juridik. Është komplet implementim i qëndrimit të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes dhe asaj që e tha z.Kurti. Asnjë dallim s’ka. Është me tone kërcënuese, për dallim prej këtyre të tjerëve që thonë se është tradhti, kjo nuk e thotë”, ka theksuar ai.
Hasani sheh shkelje kushtetuese: Dimal Basha ka nisur t'i zbatojë rregullat e veta
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se kryeparlamentari Dimal Basha ka nisur të zbatojë rregullat e veta, edhe pse ato mund të bien ndesh me Kushtetutën.
Ai ka thënë se ndarja e votimit për nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë është shkelje kushtetuese. Sipas tij, shkelje do të ishte ndarja e votimit edhe për nënkryetarët shqiptarë.
“Sipas Kushtetutës dhe praktikave parlamentare votohen nënkryetarët që përfaqësojnë komunitetin joshumicë. Ky është term kushtetues. S’ka rëndësi cila parti është. Do të ishte shkelje ndarja për votimin e nënkryetarëve shqiptarë. Qysh mundesh dispozitën e qartë që flet për nënkryetarët shqiptarë... apo atë për komunitetet... Gjykuar tri aktgjykimet, Kushtetutës dhe rregullores, sipas këtyre që janë në fuqi, sepse precedenti ndryshon... deri sot, është e qartë si loti që Basha ka nisur të zbatojë rregullat e veta: ‘Hajde t’i ndajmë, Ka konsensus s’ka konsensus’”, ka thënë Hasani në “Konfront” të KTV-së.
Hasani: Logjika që po ndjek Kurti çon në federalizim të Kosovës
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese së Kosovës, Enver Hasani, thotë se kryeministri në detyrë Albin Kurti me logjikën e tij po e çon Kosovën drejt federalizimit.
Hasani në “Konfront” të KTV-së ka kritikuar ish-partitë opozitare duke thënë se nuk është dashur të votohet në Kuvend fare në momentin kur është ndarë votimi për nënkryetarët nga komunitetet joshumicë.
Ai ka thënë se Kurti po tenton të krijojë një realitet tjetër kushtetues në Kosovë.
“Pse po bëhet kjo? Sepse në Ohër ai ka pranuar autonominë serbe. Ideja e krejt këtij obstruksioni është të krijohet një realitet tjetër kushtetues...E shihni dialogu vazhdon me plotë të drejtë, se ke marrë detyrime ndërkombëtare nga të cilat nuk mund të ikësh. Ai synon me këtë të thotë unë nuk po e zbatoj, por po e marrin. Por, kjo është si të tentosh ta kruash vetullën e ta nxjerrësh syrin. Kjo logjikë që po ndjek Kurti çon në federalizim të pashmangshëm, sepse unë jam i sigurt se partnerët ndërkombëtarë, atë që është në pikën 12 të Deklaratës së Pavarësisë, se lënë të përmbyset lehtë”, tha Hasani.
Hasani ka thënë se çdo qeveri që do të vijë duhet ta dërgojë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta zbatojë marrëveshjen e Ohrit.
Hasani kritikon Kurtin: Synon të rrënojë themelet bazike – të Deklaratës së Pavarësisë
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, synon t’i rrënojë themelet e shtetit të Kosovës.
Me interpretimet që Kurti po ua jep aktgjykimeve, por edhe normave kushtetuese, sipas Hasanit, qëllimi është që të preket Deklarata e Pavarësisë. Ai i ka quajtur “malicioze” interpretimet e Kurtit.
Sipas Hasanit, Kurti do të përpiqet ta zvarrisë procesin e mandatarit për kryeministër edhe pasi të përfundojë konstituimi.
“Janë tri aktgjykime, rregullorja e Kuvendit është kushtetuta e Kuvendit. Dokumenti që i operacionalizon normat kushtetuese për funksionimin e Kuvendit. Prandaj interpretime të tilla malicioze – në bazë të asaj që po shoh se po ndodh, jam i sigurt se Kurti edhe pas këtij aktgjykimi që pritet si pasojë e politikave të tij në Kuvend në raport me përfaqësimin e komuniteteve joshumicë.... Pasi të konstatohet ai prapë do të interpretojë ndryshe. Ideja është të rrënohen themelet bazike – të Deklaratës së Pavarësisë”, ka thënë Hasani në emisionin “Konfront” në KTV të enjten.
Ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Masa është vendosur në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe. Në fund të gushtit Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin dhe katër nga pesë nënkryetarët, duke ndarë votimin e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë. Votat e mjaftueshme nuk i ka marrë asnjë nga deputetët e komunitetit serb për nënkryetar të Kuvendit e kryetari i ri Dimal Basha e ka shpallur institucionin të konstituuar. Pas këtij vendimi subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, Lista Serbe, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se me vendimin e Bashës është shkelur Kushtetuta me ndarjen e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet pakicë. Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka dërguar komente duke kërkuar që Listës Serbe “të mos i lejohet vetoja”.