Arbëri

Haradinaj s’e përjashton mundësinë për votimin e Konjufcës kryeparlamentar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta votojë Glauk Konjufcën po që se propozohet ai për kryeparlamentar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kuvendi që nga 15 prilli është në ngërç për konstituim. VV-ja ka propozuar Albulena Haxhiun e cila s’ka marrë më shumë se 57 vota deri tash. AAK-ja ka thënë se emri i Haxhiut s’është unifikues dhe se pesë deputetët e saj do të votonin po që se do të propozoheshin për kryeparlamentare Shqipe Selimi ose Saranda Bogujevci.

Ndërsa të premten, Haradinaj ka thënë se nuk e sheh problematike propozimin e mundshëm që Konjufca të bëhet kryeparlamentar sërish.

“Ne jemi në pritje që Vetëvendosje të reflektojë në kandidaturë, pra ta gjejë një kandidaturë që na bashkon dhe shpresojmë që deri nesër ta kemi ndonjë lajm të mirë, që Vetëvendosje ta nxjerrë një kandidaturë unifikuese. Nëse e bënë këtë, nesër do ta kemi kryetarin apo kryetaren e Kuvendit. Nuk kemi biseduar për Glaukun, por nuk është problem. Besoj po”, ka thënë ai, siç raporton KosovaPress, pas organizimit të shënimit të 25-vjetorit të AAK-së.

Haradinaj ka thënë se s’ka qëndrim po që se Fatmir Limaj, kryetar i Nismës do të propozohej për kryeparlamentar. Nisma dhe AAK-ja ishin në koalicion parazgjedhor. Pas futjes në Kuvend, partitë ndanë rrugët, në bazë të qëndrimeve të deritashme.

I pyetur për ftesën që kryetari i VV-së ua bëri krerëve të PDK-së dhe LDK-së si dy partitë më të mëdha opozitare, Haradinaj nuk ka pasur koment.

Përpjekja e dhjetë për konstituim të Kuvendit mbahet nesër (e shtunë) 3 maj me fillim prej orës 10.