Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ardian Gjini merr zyrtarisht postin e kryetarit të AAK-së

Ardian Gjini

(Tekst i përditësuar) - Ardian Gjini është zgjedhur kryetar i ri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie të mbajtur sot.

Gjini i cili është edhe kandidat për kryeministër nga AAK-ja ka folur para delegatëve në Kuvendin Zgjedhor të AAK-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai ka theksuar se AAK-ja nuk po nis nga fillimi, por nga një bazë e ndërtuar ndër vite me besim dhe bashkëpunim.

“Vëllezër e motra, unë besoj fort se gjithçka për të cilën po flasim sot është e arritshme. Nuk jemi duke u nisur prej tokës, por prej një ndërtese të jashtëzakonshme që e kemi ndërtuar së bashku me ju, kryetar. Po nisemi prej besimit që e kemi për Kosovën, prej bindjeve që i kemi ndërtuar me qindra e mijëra njerëz në Kosovë. Nuk jemi duke u nisur prej zeros dhe kjo na jep forcë: ne mundemi, Aleanca mundet, Kosova mundet. Kosova ka njerëz, Aleanca ka njerëz”, tha ai.

Gjini shtoi se slogani i partisë përfaqëson orientimin e saj politik dhe vizionin për të ardhmen.

“Energjia, siguria dhe zhvillimi është slogani ynë, me një konotacion perëndimor. Por mos harroni, shtyllat që na bëjnë të ndihemi mirë pse e duam Amerikën dhe Evropën janë të rëndësishme për Kosovën dhe duhet të forcohen më shumë”, u shpreh ai.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga udhëheqja e AAK-së në shkurt të këtij viti.


 Haradinaj në Kuvendin e AAK-së: Besojmë tek Ardian Gjini, Aleanca vazhdon rrugëtimin

Në Kuvendin e 10-të Zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku pritet të formalizohet zgjedhja e Ardian Gjini në krye të partisë, kryetari aktual Ramush Haradinaj ka mbajtur një fjalim para delegatëve, duke komentuar edhe rrugëtimin e tij politik dhe duke konfirmuar vazhdimësinë e angazhimit të tij për Kosovën dhe Aleancën, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj e ka hapur fjalimin duke kujtuar historinë e tij personale dhe angazhimin në luftën çlirimtare.

“Që nga mosha e re si fëmijë e deri në 31 vjeç, shërbimin ndaj atdheut e kam bërë si shërbim për çlirim. Kam pasur nderin të jem ushtar dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK. Faleminderit, po jetë UÇK, faleminderit bashkëluftëtarë, faleminderit për sakrificën që e kemi bërë për liri,” tha ai.

Duke folur për periudhën pas luftës dhe rolin e tij në politikë, Haradinaj përmendi edhe drejtimin e Aleancës dhe funksionet shtetërore që ka mbajtur.

“Prej vitit 2000, nga mosha ime 32 vjeç, kam shërbyer Kosovën dhe kombin si kryetar i Aleancës. Kam pasur nderin të zgjedhem deputet në çdo legjislaturë dhe të zgjedhem kryeministër dy herë, me mbështetjen tuaj. Faleminderit Aleancë për rrugëtimin bashkë,” u shpreh ai.

Haradinaj theksoi se nuk do të tërhiqet nga angazhimi politik, por se do të vazhdojë të kontribuojë në forma të tjera.

“Nga sot do të vazhdoj t’i shërbej Kosovës dhe kombit si njëri nga ju. Shërbimi për Kosovën nuk përfundon kurrë. Për jetë Aleancë, për jetë UÇK, për jetë shqiptarët ndër breza,” deklaroi ai.

Ai i ka dhënë mbështetje të drejtpërdrejtë pasardhësit të tij në krye të partisë.

“Sot kryetar Ardian, unë dhe Aleanca besojmë te ti. Besojmë që të jesh prijësi ynë, prijësi i Kosovës, prijësi i listës tonë më të mirë. Ashtu siç e kam besuar veten në rrugëtimin tim, ashtu i besoj Ardianit dhe Aleancës. Për jetë ty Ardian, për jetë Aleancës,” tha Haradinaj.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve dhe diasporës për mbështetje në proceset politike.

“Qytetarë të Kosovës, vëllezër e motra në diasporë, ju jeni gjaku ynë dhe kurrë nuk ndaheni prej nesh. Shërbeni Kosovës, shërbeni me votë për dy të tretat për listën e Aleancës. Unë i shërbeva Kosovës me mos kandidimin tim, por ju ftoj ju të vazhdoni këtë rrugë,” u shpreh Haradinaj.