Arbëri

Hapet qendra për edukim të hershëm në Shalë të Lipjanit

Komuna e Lipjanit në bashkëpunim me organizatën Qendra për Shërbime Humane dhe UNICEF-in, kanë hapur një qendër për edukim të hershëm të fëmijëve në fshatin Shalë. Kjo është qendra e tretë që Komuna e Lipjanit po inauguron në kuadër të objekteve shkollore.

Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, ka thënë se kjo qendër do të funksionoi në shërbim për të gjithë fëmijët me qëllim të avancimit të tyre.

“Është paralelja e tretë që ne po e hapim në bashkëpunim me këtë organizatë dhe jam i bindur se është ndër projektet më të mira dhe më të qëlluara për fëmijët. Ndërkaq, në pranverë të vitit të ardhshëm do ta nisim edhe objektin e çerdhes për fëmijë në fshatin shalë”, ka thënë midis të tjerash Ahmeti.

Ndërkaq, Mimoza Shahini drejtoreshë e Qendrës për Shërbime Humane dhe Zhvillim në Kosovë, ka thënë se qendra me bazë në komunitet që po hapet në shalë, është financuar nga UNICEF.

“Ky projekt është realizuar në kuadër të objektives madhore të UNICEF-it për të ngritur kapacitetet institucionale për edukimin e moshës së hershme nga 0 deri në gjashtë vjet. Organizata Qendra për Shërbime Humane dhe zhvillime është nga partnerët kryesor të UNICEF-it në realizimin e kësaj objektive, kështu që ne po përpiqeshim që në këto mjedise që po i krijojmë që janë shumë afër qytetarëve, në këtë rast ne po ofrojmë shërbime edhe për prindërit që nuk punojnë duke u munduar që të angazhojmë edhe angazhimin e prindërve”, ka thënë Shahini.

Ndërkaq, drejtoresha për Arsim në Komunën e Lipjanit, Elmaze Behluli, ka thënë se, “fëmijët janë e ardhmja jonë dhe ne po përpiqemi që të bëjmë më të mirën për ta sikur që ndodh në gjithë Evropën".

"Ne dhe shkollat tona kanë pasur nevojë për një qendër të tillë”.

Ndërkaq, Izet Shala, drejtor i shkollës fillore “Ibrahim Banushi” në shalë, ka thënë se, “Gradualisht shkollës sonë po i kompletohen të gjitha klasat me pajisje të ndryshme për edukim të fëmijëve. Ky projekt për edukim të hershëm në Shalë ka qenë shumë i nevojshëm për investime, andaj jemi mirënjohës nga të gjithë ata që kontribuuan për realizimin e këtij projekti”, ka thënë ai.