Arbëri

Hani i Elezit sot regjistroi temperaturë gati 40 gradë celsius

Temperatura

Qyteti i Hanit të Elezit ka regjistruar temperaturën më të lartë në Kosovë sivjet. Temperatura në qytetin kufitar mbërriti në 39.7 gradë celsius, ka njoftuar të enjten Besim Aliu, parashikues i motit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës.

Sipas tij, kjo temperaturë u mbërri në Han të Elezit për shkak të pozitës së tij gjeografike dhe karakteristikave klimatike të rajonit.

“Më konkretisht, Hani i Elezit ndodhet në një luginë të ngushtë dhe të mbyllur, që e bën atë më të prirur ndaj grumbullimit të nxehtësisë, sidomos gjatë verës. Përveç kësaj, qarkullimi i ajrit në këtë zonë është i kufizuar, duke e vështirësuar freskimin natyror të atmosferës. Gjithashtu, lartësia e ulët mbidetare ndihmon që ajri të ngrohet më shpejt, duke çuar në temperatura më të larta krahasuar me pjesët tjera të vendit”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Ai ka bërë të ditur po ashtu se stacioni automatik në këtë qytet është vendosur në fund të vitit të kaluar dhe se më herët nuk ka pasur shënime të elementeve e dukurive meteorologjike.