Arbëri

Handikos kërkon shpërndarjen e pajisjeve për të paralizuarit të cilat u paguan 6 mln euro

Karroca

Foto: Ilustrim

Organizata Handikos ka kërkuar veprim urgjent nga SHSKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë për procesin e shpërndarjes së pajisjeve ndihmëse për personat me status paraplegjik dhe tetraplegjik.

KOHA ditë më parë ka raportuar se personat me paralizë ende nuk kanë marrë asnjë nga 4 mijë e 250 pajisjet që për ta i ka kontraktuar ShSKUK-ja. Produktet që përfshijnë karroca speciale për fëmijë, karroca elektrike, karroca tualeti, lloje të ndryshme të patericave, tavolina ushqimi, ashensorë elektrikë për pacientë, shtretër elektrikë, jastëkë e dyshekë antidekubitues, nuk u shpërndanë, ndonëse janë bërë gati një vit prej kur është lidhur kontrata në vlerë 6 milionë euro

Handikos në një komunikatë për media të hënën ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me vonesat në shpërndarjen e pajisjeve ndihmëse edhe pse thonë se procesi është mbështetur me vendime konkrete institucionale dhe buxhet të ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Për vite me radhë, HANDIKOS, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, ka punuar në hartimin dhe miratimin e Udhëzimit Administrativ (QRK) nr. 11/2022, i cili përcakton listën dhe llojet e pajisjeve ndihmëse që do të ofrohen falas për personat me aftësi të kufizuara. Ky akt nënligjor bazohet në Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik, duke synuar përmirësimin e cilësisë së jetës për personat me aftësi të kufizuara përmes ofrimit të pajisjeve për lëvizje, parandalim dhe asistim”, thuhet në njoftim.

Handikos ka shtuar se aprovimit të këtij udhëzimi i ka paraprirë shpallja e vitit 2022 si Viti i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës. Në kuadër të këtij përkushtimi, shton kjo organizatë, Qeveria kishte ndarë 6.4 milionë euro për furnizimin me pajisje ndihmëse, me planifikim që ky investim të realizohej brenda dy viteve. Për zbatimin e këtij procesi është përgjegjës Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), i cili ka nënshkruar kontratë për furnizimin me pajisje, prej të cilave një numër i madh tashmë ndodhen nëpër depot e klinikave të SHSKUK-së.

“Megjithatë, ka kaluar gati një vit që nga ardhja e këtyre pajisjeve, dhe ato ende nuk janë shpërndarë te përfituesit. Si HANDIKOS, që nga fillimi kemi monitoruar procesin dhe kohë pas kohe kemi kërkuar informacione dhe sqarime zyrtare rreth vonesave që po bëhen, por deri më tani nuk na është kthyer asnjë përgjigje konkrete”, thuhet tutje në reagim.

Handikos vlerëson se veçanërisht shqetësues është fakti se një pjesë e këtyre pajisjeve kanë afat të kufizuar përdorimi, dhe ekziston rreziku që ato të dëmtohen ose të bëhen të papërdorshme nëse nuk shpërndahen në kohë. Sipas tyre, kjo situatë jo vetëm që përbën humbje të investimit publik, por edhe përkeqëson më tej gjendjen e personave me aftësi të kufizuara, të cilët i kanë të domosdoshme këto pajisje për përfshirje dhe funksionim të pavarur në jetën e përditshme.