Arbëri

Hamza: Askush s’e ka përjashtuar Lladrovcin

Bedri Hamza

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se askush nuk e ka përjashtuar Ramiz Lladrovcin nga partia dhe u shpreh i bindur se në zgjedhjet e parakohshme do ta maksimalizojnë votën në Drenas bashkë me të. 

“Ramiz Lladrovcin askush nuk e ka përjashtuar. S’kam parë vendim që thotë se Lladrovci nuk është PDK. S’ka diçka të tillë brenda PDK-së. Prandaj jam i bindur që ne bashkë të gjithë do të vazhdojmë edhe të garojmë edhe të maksimizojmë votën për PDK-në”, ka thënë Hamza në një konferencë për shtyp të premten pas mbledhjes së Kryesisë.

Ai u shpreh se në Drenas ka pasur gjithmonë garë të brendshme në zgjedhjet lokale, “por në ato qendrore PDK-ja është unike”.

“PDK-ja është e bashkuar, është unike. Edhe në të kaluarën kam deklaruar që në Drenas në mënyrë masive votojnë për PDK-në. Ka pasur të tillë që s’janë pajtuar por gjithmonë në Drenas në zgjedhjet lokale ka pasur edhe garë të brendshme, ndërsa kur janë ato qendrore PDK-ja është unike, do të jetë e tillë. Jam i sigurt. Do ta maksimalizojmë votën për PDK-në në Drenas që është ndër bastionet tona, ku fitojmë numër të madh të votave”, ka shtuar kryetari i PDK-së.

Hamza konfirmoi se ka pasur takim me Lladrovcin.

“Të gjitha këto diskutohen edhe në Kryesi. E kam bërë publike që jam takuar edhe me Lladrovcin, që është kryetar i Drenasit dhe deklarohet se është PDK. Prandaj, do të thotë pjesa dërrmuese e qytetarëve të Drenasit janë PDK”, ka deklaruar ai.

Ramiz Lladrovci i fitoi zgjedhjet lokale në Drenas me një iniciativë të krijuar vetë, pasi PDK-ja vendosi që të garonte me Petrit Hajdarin. Por Lladrovci vazhdimisht ka deklaruar se është pjesë e PDK-së.