Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur të papërgjegjshme qeverisjen nën kryesimin e Albin Kurtit.
Ai ka thënë se strategjia e Kurtit është që ta vë opozitën sa më keq në opinion, dhe që t’u tregojë ndërkombëtarëve se ai i merr vendimet.
Sipas Halitit, Kosova është nën sanksione të Bashkimit Evropian për shkak të politikave të gabueshme dhe narrativës së paqartë politike që ka krijuar Qeveria Kurti.
“Në qeverisje ka qenë, është një parti e papërgjegjshme dhe një kryeministër që duhet të trajtohet në një variant tjetër, qoftë ai edhe psikologjik. Nuk e kuptoj ndryshe. Ka liderë shteti që janë të sëmurë. Ai të shkojë te doktori, të bëjë kontroll te mjeku, njerëz jemi, kemi probleme me shëndetin, burgu e ka bë të veten, njerëzit e bëjnë të vetën...”, ka thënë Haliti në “Konfront”.
Haliti: Jam ofenduar me numrin 14 në listën e kandidatëve të PDK-së
Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka treguar se është propozuar si kandidat për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Megjithatë, në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, Haliti ka qenë kandidat me numër 14 në listën e PDK-së.
Në emisionin “Konfront” në KTV, Haliti tha se është ndjerë i ofenduar që nuk ka qenë në 10-shen e parë të listës.
“Çdo kandidat dëshiron ta ketë numrin deri në 10, në listën e kandidatëve për deputet. Shumica e qytetarëve nuk i votojnë 10 persona prandaj krijohet mundësia që të votohet dikush në 10-shen e parë. Unë nuk kam protestuar për numrin 14, nuk i kam thënë askujt asgjë, kam dalë me atë numër dhe kam marrë rreth 15 mijë vota. Jo që s’kam qenë i kënaqur por jam ndjerë i ofenduar. Nuk i kam thënë askujt asgjë, aty e kanë vendosë aty e kam lënë. Jam i propozuar sërish, kryetari i partisë e ka kompetencën për renditjen e kandidatëve për deputet”, deklaroi Halitaj.
Halitaj në zgjedhjet e 9 shkurtit mori rreth 15 mijë vota dhe nuk arriti të siguroj ulëse në legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Zgjedhjet e parakohshme nacionale, janë caktuar për datën 28 dhjetor të këtij viti.
Haliti: Shkëmbimi i territoreve ishte më shumë propagandë sesa diskutim
Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, teksa ka folur për raportet e Kosovës me SHBA-në, ka thënë se vendi ynë është në pozitën që duhet të pranojë çfarëdo që në fakt duan ndërkombëtarët.
Në emisionin “Konfront” në KTV, ai deklaroi se megjithatë kjo nuk do të thotë që duhet t’ia japim dikujt gërshërët e kufijve të Kosovës dhe se edhe ideja që e prezantoi në masën e gjerë ish-presidenti Hashim Thaçi, sipas Halitit më shumë ishte propagandë sesa diskutim.
“Ne jemi në një pozitë të pranojmë atë që duan ndërkombëtarët e jo atë që duam ne për faktin sepse kemi marrëveshje të nënshkruar ndërkombëtare. Për faktin që e kemi një siguri që nuk e ka askush dhe kemi këtë siguri si vend dhe si një vendim të cilin e ka marrë OKB-ja dhe NATO të cilën e kemi quajtur dhe është ‘sui-generis’. Unë spo them që ne duhet të dorëzohemi e t’ia jepim çelësin dikujt që ta prejë me gërshërë kufijtë e Kosovës. Askush s’ka pasur pretendime të tilla. Është diskutuar, është hap diskutim publik edhe në Kosovë. Më shumë ka pasur propagandë sesa diskutim”, deklaroi Halitaj në emisionin “Konfront” në KTV.
Diskutimet për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë filluan më intensivisht rreth vitit 2018, pas disa vitesh bllokimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ideja parashikonte ndryshimin e kufijve, kryesisht për zonat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe zonat shqiptare në pjesë të tjera të Serbisë. Presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi, si një nga përkrahësit e kësaj ideje bashkë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, pati thënë se ideja nuk është ndarje, por korrigjim i kufijve. Por kjo ide qe kundërshtuar ashpër nga spektri politik në Kosovë, por edhe nga disa prej aleatëve të Kosovës.
Një prej arsyeve kryesore të kundërshtimit ka qenë frika se kjo do të nxiste edhe largimin e Republika Sërpskas nga Bosnjë-Hercegovina, ndërsa do të tensiononte raportet edhe në vende të tjera të rajonit, si në Maqedoni e Mal të Zi.
Haliti: Kam parë foto të thasëve me vota nëpër korridore të ambasadave
Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se ka mundësi që të jetë manipuluar me votat e diasporës në zgjedhje.
Ai ka thënë se ka parë fotografi të thasëve të hapur ku në to kanë qenë të futura votat e diasporës.
“Kostoja e transportit të votave ka qenë shumë e madhe, mundësia e manipulimit të votave nëse nuk ka pasur komisione të besueshme dhe mbikëqyrje te qendrat ku janë vendosur deri te fillimi i transportit ka qenë e mundshme manipulimi. Kam parë fotografi që m’i kanë dërguar thasë me vota në një korridor të një ambasade, të hapur”, ka thënë Haliti.