Arbëri

Halitaj që iu vranë 14 familjarë në Masakrën e Izbicës dëshmon kundër Alidemajt

Dëshmitari Muhamet Halitaj ka deklaruar se para se të ndodh masakra e Izbicës ka tentuar që të bisedonte me të akuzuarin Muhamet Alidemaj me qëllim që ta kthente në anën e shqiptarëve, por tha se asnjëherë gjatë luftës nuk e kishte takuar atë. Halitajt i janë vrarë 14 anëtarë të familjes në masakrën e Izbicës, e njëri nga të akuzuarit për përfshirje në të është Alidemaj

Dëshmitari Muhamet Halitaj ka thënë para Gjykatës Themelore në Prishtinë se njerëz të shumtë i kanë thënë se i akuzuari Muhamet Alidemaj ishte përfshirë në masakrën e Izbicës. Prokuroria Speciale më 29 mars 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Alidemajt për krime lufte ku përfshihet edhe pjesëmarrja si pjesë e forcave policore e ushtarake serbe në masakrën ku u vranë 130 civilë shqiptarë.

Në përmbyllje të dëshmisë së tij, dëshmitari tha se shumëkush shprehu çudi që Alidemaj ishte përfshirë në masakrën e kryer në Izbicë të Skenderajt më 28 mars 1999.

“Nuk e di kush s’më ka thënë. Mund t’i përmendë shumë me emër, por nuk e di se kush nuk më ka thënë: qysh bre edhe shqiptari mos zot ma keq, qysh kish qenë edhe ai Muhameti i Kërrninës, qysh edhe shqiptari i Istogut kish qenë... Dikush më ka thënë e ka njohur djali i Haxhiut, dikush më ka thënë një i anës së Istogut... Shumëkushi, se janë dy Haxhi dhe të njëjtin mbiemër e kanë. E babën e tij e thërrasin Haxhi “Zhuti” se i kuq është... dhe më kanë thënë djali i Haxhi “Zhutit”, dikush djali i Haxhiut, dikush i Kërrninës, dikush i Istogut”, ka deklaruar Halitaj në dëshminë e tij.

Dëshmitari, që i ka 14 pjesëtarë të farefisit të tij të vrarë në këtë masakër, ka deklaruar se gjatë luftës ka qenë pjesë e UÇK-së, në njësinë për vëzhgim e Brigadës 112, që atëherë quhej “ZKZ” e më pas G2.

Tha se ka bërë përpjekje gjatë luftës që të vendosë kontakt me Muhamet Alidemajn përmes Stevës, serb që kishte shitore në fshatin Belicë, në mënyrë që t’i lë forcat serbe e të bëhet pjesë e UÇK-së, por përpjekja i kishte dështuar.

Halitaj tha se nuk ka folur me të atin e të akuzuarit, meqë familjarët e tij e kishin lajmëruar të akuzuarin që ndodhej në Serbi, si i zhdukur.

Pyetje dëshmitarit i ka parashtruar edhe mbrojtësi i Muhamet Alidemajt avokati Millosh Deleviq, lidhur me dëshmitarin kryesor të rastit, Islam Danin.

Dëshmitari Halitaj deklaroi se nuk ka qenë në dijeni për ndonjë mosmarrëveshje për ndonjë pronë në Kërrninë të Istogut mes dëshmitarit Islam Dani dhe Haxhi Alidemajt, babait të të pandehurit.

“Unë kam njohuri se Islami i ka ndihmuar deri vonë, i ka ndihmuar babait të tij, Haxhiut. Materialisht. Se ai ka deklaruar se ky është i vrarë e i zhdukur dhe ka e marrë pensionin tërë kohën - për këtë personin këtu si i vrarë i Izbicës dhe i është ndërtuar shtëpia me aktivitete e ndihma të fshatit e të komunës... Nuk e di se mund të ketë konflikt aty, tash mund të mundohet ta njollosë si të dojë por, s’kam njohuri fare, se s’jam afër hiç”, ka thënë Halitaj.

Pas përmbylljes së dëshmisë së Halitajt, dëshminë e nisi një dëshmitar tjetër, por se seanca u mbyll me vendim të trupit gjykues.