Arbëri

Hakaj i kërkon Komunës së Prishtinës t’i ndalë sulmet: Po e rëndojnë punën tonë

hakaj

Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Imer Hakaj, ka thënë se departamenti i tij po përballet me sulme të vazhdueshme “nga të gjitha anët” për shkak të punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”. 

Ai ka thënë se këto sulme përfshijnë kallëzime penale ndaj inspektorëve të fushës si dhe kërcënime publike ndaj zyrtarëve që mbikëqyrin zonat e mbrojtura. Hakaj i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarëve të tjerë të ndalin “sulmet e padrejta dhe private”, duke shtuar se çdo ofendim apo presion publik tani e tutje duhet të trajtohet institucionalisht dhe ligjërisht. 

“Këto veprime përbëjnë presion të drejtpërdrejtë dhe të pajustifikueshëm, që synon të ndërhyjë në ushtrimin e detyrave tona zyrtare”, thuhet në reagimin e tij në Facebook. 

Hakaj ka shtuar se zyrtarë të Komunës së Prishtinës, përfshirë kryetarin Përparim Rama, po publikojnë “në mënyrë selektive” fragmente të dokumenteve zyrtare, duke i nxjerrë nga konteksti. 

“Nëse synohet transparence e plotë, atëherë duhet të publikohen në tërësi edhe Vendimet e ITK-së për ndalim të punimeve të paautorizuara, procesverbalin me pranim e nënshkrim zyrtar nga Drejtori i Komunës së Prishtinës për ndalimin e punimeve në Sheshin “Xhorxh Bush”, dhe të gjithë dokumentacionin mbështetës, që tregojnë vendimmarrjen ligjore në këtë proces. Për më tepër, është me rëndësi që opinioni publik të informohet drejt dhe plotësisht, jo në mënyrë të pjesshme e tendencioze”, ka thënë ai. 

Hakaj ka theksuar se nga ana e zyrës së tij nuk është bërë asnjë veprim për të frikësuar apo dëmtuar ndonjë zyrtar të një institucioni tjetër. 

“Veprimet e Komunës së Prishtinës, përfshirë deklaratat publike të Kryetarit Rama dhe të kolegëve të tij, tashmë e kanë kaluar çdo normë të sjelljes institucionale. Sulmet që fillojnë nga lart po ndikojnë negativisht edhe në opinionin publik të Institucionit qe udhëheq unë si Drejtor Ekzekutiv i ITK, duke nxitur qytetarë dhe përkrahës të tyre të shfaqin sjellje fyese dhe kërcënuese ndaj inspektoreve dhe zyrtarëve të trashëgimisë kulturore”, ka shtuar ai. 

Hakaj ka thënë tutje se sot, 30 prill, ka kërkuar që lënda për sheshin “Xhorxh Bush” të trajtohet me urgjencë dhe të shqyrtohet me prioritet të lartë ashtu që të plotësohen rekomandimet ligjore të lëshuara më herët nga institucionet përkatëse.