Prerja ilegale e pyjeve dhe mungesa e kujdesit institucional rrezikon shkatërrimin e tyre, me efekt negativ edhe në mjedisin dhe potencialet ujore të Kosovës, ka thënë Ergin Hajredini, zyrtar për pylltari në Organizatën për Ushqim dhe Bujqësi (FAO). Në intervistë për KOHËN, ia ka treguar se bazuar në inventarizimin kombëtar të pyjeve të vitit 2012, rreth 90 % e prerjeve në vit bëhen në mënyrë të parregullt dhe se 80 për qind e popullsisë përdorin drurin për ngrohje. “Kjo prerje ndikon drejtpërdrejt në dëmtimin dhe degradimin e resurseve pyjore, humbjen financiare në buxhetin e shtetit, po ashtu dhe në dëmtimin e ekosistemeve pyjore me pasoja negative për mjedisin, biodiversitetin, habitatet e kafshëve të egra, shtimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe erozion, si dhe zvogëlimin e burimeve ujore”, ka thënë Hajredini. Ndërsa, duke folur për rëndësinë ekonomike, Hajredini ka thënë se potenciali pyjor i Kosovës mund të gjenerojë afro 12 mijë vende pune, dhe të sigurojë të hyra financiare që mund të arrijnë deri në 60 milionë euro në vit.
KOHA: Cili është potenciali pyjor i Kosovës?
Hajredini: Sa i përket sipërfaqes pyjore të Kosovës rreth 46 % e territorit është e mbuluar me pyje dhe toka pyjore. Ne kontestin e prodhimit shtimi vjetor i përgjithshëm në pyjet e Kosovës është 1.55 milion metra kub, apo rreth 2 milionë metër hapësinor në vit. Nëse e analizojmë gjendjen e tanishme, potenciali prodhues mund të shtohet nëse ndërmerren masa përmirësuese të trajtimit të pyjeve me anë të masave silvikulturore. Rreth 60 % e pyjeve janë me origjinë cungishtë të cilat si nga aspekti i cilësisë dhe prodhimit janë shumë të ulëta, prandaj nëse konvertohen në pyje të larta atëherë prodhimi në këto pyje mund të trefishohet. Përpos vlerës së drurit pyjet e Kosovës janë shumë të pasura me biodiversitet, kanë potencial të lartë për zhvillim të turizmit malor, janë të pasura me produkte të dyta pyjore, absorbojnë dyoksid të karbonit, ruajtjen e burimeve ujore, si dhe mbrojtje nga erozioni dhe fatkeqësitë tjera natyrore.
KOHA: Sipas studimeve të kryera, cilat janë nevojat dhe kapacitetet e Kosovës për furnizim me dru për ngrohje?
Hajredini: Në bazë të shumë studimeve, mesatarisht 80 % e popullsisë në Kosovë përdorin drurin e zjarrit për ngrohje. Sasia e masës drusore që nevojitet për ngrohje kalon mbi 1.5 milion metër hapësinor. Krahasuar me potencialin prodhues që kanë pyjet e Kosovës, kjo kërkesë mund të plotësohet nga shfrytëzimi i qëndrueshëm i pyjeve. Vlen të theksohet që rreth 30 % e pyjeve me cilësi të lartë dhe prodhim të lartë gjenden brenda dy parqeve kombëtare, që paraqet një sfidë për plotësimin e kërkesës së përgjithshme. Përpos kërkesës për dru zjarri në Kosovë, po ashtu edhe industria e përpunimit të drurit kanë nevojë për produkte të drurit teknik. Deri më tani, shumica e drurit teknik importohet nga vendet e rajonit. Vlen të theksohet që në të ardhmen duhet të synojmë furnizimin me dru teknik nga pyjet vendore të kërkesës e industrisë së përpunimit të drurit duke i shtuar vlerën pyjeve.
KOHA: A ka Kosova kapacitet pyjor për gjenerim të vendeve të reja të punës dhe a ka lëvizje në këtë drejtim?
Hajredini: Në bazë të studimit të fundit realizuar nga FAO në vitin 2022, sektori pyjor është potencial i rëndësishëm për Kosovën si në aspektin e gjenerimit të të hyrave financiare po ashtu dhe për gjenerimin e vendeve të punës. Nga ky studim të hyrat që mund të realizohen nga pyjet bazuar në potencialin e pyjeve sillet nga 30 deri ne 60 milionë euro në vit (për vitin 2019), ndërsa sa i përket punësimit ky sektor mund të gjenerojë nga 7500 deri në 12500 vende pune. Burimi i informacioneve për këtë studim janë të dhënat institucionale dhe vlerësimi sipas nevojave dhe sektorëve të ndërlidhur me pyjet duke përfshirë përpunimin e drurit si dhe sektorin e prodhimeve të dyta pyjore (bimë mjekuese dhe aromatike, si dhe fruta të egra te pyjeve).
Për momentin informaliteti në sektorin pyjor është shumë i lartë. Aktualisht me mbështetje të projektit te FAO-s, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia Pyjore e Kosovës, janë duke punuar së bashku në krijimin e kushteve për përmirësimin e menaxhimit me pyje në të gjitha aspektet, duke filluar prej strategjisë për sektorin e pyjeve, kornizën ligjore, zhvillimit të planifikimit për një menaxhim shumëqëllimor të pyjeve, realizimit të planeve vjetore, ngritjes së kapaciteteve profesionale në kuadër të institucioneve përgjegjëse, digjitalizimit të sektorit dhe përmirësimit të monitorimit të resurseve pyjore duke përdorur teknologjinë e avancuar si drone dhe pajisje të tjera në luftim të prerjeve ilegale në pyje.
KOHA: Si qëndron situata me prerjen ilegale të pyjeve në Kosovë?
Hajredini: Për fat të keq, informaliteti dhe prerja ilegale e pyjeve është në nivel shumë të lartë. Bazuar në inventarizimin kombëtar të pyjeve të vitit 2012, rreth 90 % e prerjeve në vit bëhen në mënyrë të parregullt. Kjo prerje ndikon drejt për së drejti në dëmtimin dhe degradimin e resurseve pyjore, humbje financiare në buxhetin e shtetit, po ashtu dhe në dëmtimin e ekosistemeve pyjore me pasoja negative për mjedisin, biodiversitetin, habitatet e kafshëve të egra, shtimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe erozion, si dhe zvogëlimin e burimeve ujore pasi pyjet janë dhe depozituesit më të mëdhenj të ujit në planet.
KOHA: Cilët janë faktorët që ndikojnë në prerjen ilegale të pyjeve?
Hajredini: Faktorët të cilët ndikojnë në paraqitjen e prerjeve ilegale të pyjeve janë të ndryshëm, duke filluar nga gjendja e përgjithshme socio-ekonomike dhe mungesa e alternativave për sigurimin e energjisë për ngrohje, mungesa e zbatimit të ligjit dhe paqartësia e ndarjes së përgjegjësive institucionale rreth menaxhimit të pyjeve, aktualisht këto janë të shpërndara në disa institucione, koordinimi dhe efikasiteti ndërinstitucional si Agjenci pyjore, Komuna, Gjykata, Polici. Faktorë të tjerë që ndikojnë në prerjet ilegale janë po ashtu numri i vogël i stafit profesional në institucionet përgjegjëse për menaxhimin me pyje në këtë rast në Agjencinë Pyjore të Kosovës, pastaj në komuna si institucion përgjegjës për mbrojtje të pyjeve dhe licencim të shfrytëzimit të pyjeve në shumicën prej tyre nuk kanë staf profesional të pylltarisë. Buxheti i vogël për realizimin e aktiviteteve profesionale në pyje po ashtu ndikon drejtpërdrejt në pamundësimin e ndërmarrjes së aktiviteteve të duhura për përmirësim të menaxhimit me pyje.
Në vitin 2010 nga ana e Agjencisë Pyjore të Kosovës është deleguar përgjegjësia e mbrojtjes së pyjeve në komuna. Shumë komuna nuk kanë qenë të përgatitura për këtë përgjegjësi dhe efikasiteti ka qenë shumë i ulët, gjë që ka shtuar nivelin e prerjeve ilegale. Po ashtu ne vitin 2012 është në komuna është deleguar dhe shfrytëzimi i pyjeve apo tenderimi, ku përsëri janë hasur probleme në vonesa në tenderim sipas planeve vjetore. Kjo ka pamundësuar realizimin e planeve vjetore, të cilat plane kanë qenë shumë më të ulëta se potenciali që ofrojnë pyjet dhe kërkesa për produkte të pyjeve.
KOHA: Si e vlerësoni monitorimin dhe mbrojtjen e tyre në nivelin qendror si dhe në atë lokal?
Hajredini: Në përgjithësi, monitorimi i gjendjes dhe mbrojtja e pyjeve nuk është e duhur. Arsyeja kryesore për këtë situatë është mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe pajisjeve të nevojshme për realizimin e kësaj detyre. Sipas ligjit aktual, kompetencat për planifikimin e menaxhimit të pyjeve janë tek Agjencia Pyjore e Kosovës, ndërsa komunat janë përgjegjëse për mbrojtje të pyjeve. Komunat kanë staf të vogël rojë të pyjeve si dhe kanë staf të mangët profesional si inxhinierë të pyjeve.
Në anën tjetër, inspektimi dhe kontrolli ndaj prerjeve ilegale duhet të përmirësohet në mënyrë që të kemi një pasqyrë të saktë të prerjeve ilegale dhe dëmeve në pyje. Në vitet e fundit është shtuar në masë të madhe po ashtu dhe uzurpimi i tokës pyjore me ndërtime për banim në fshatra po ashtu dhe viset malore për ndërtim të objekteve duke mos përfill rregullat dhe lejet për këto veprime.
Me draftligjin e ri të pyjeve, synohet që të kthehen në nivel qendror përgjegjësitë e deleguara te komunat dhe kështu mendohet që do të ketë një monitorim, kontroll dhe mbrojtje më të mirë ndaj prerjeve ilegale.. Është e domosdoshme që të përmirësohet dhe shqyrtimi dhe zgjidhja me prioritet e lëndëve në gjykata në kohë të duhur dhe dënimi i keqbërëseve, si dhe efikasitet më i lartë po ashtu dhe i policisë në kontrollim të transportit të lëndës drunore dhe asistencë në terrene ku ndodhin prerjet ilegale në raste të kërkesës për asistence.
KOHA: Cilat janë mënyrat për ta evituar prerjen ilegale të pyjeve dhe në këtë drejtim a kryen punë mjaftueshëm Inspektorati për Pylltari si dhe autoritetet e drejtësisë?
Hajredini: Për ta parandaluar prerjen ilegale si masë e parë duhet të shtohet prerja legale duke zbatuar planet e menaxhimit të pyjeve 10-vjeçare si dokument i përcaktuar me ligj për menaxhim me pyje. Shteti duhet të synojë plotësimin e kërkesës për lëndë dru zjarri dhe dru teknikë. Po ashtu, duhet të mundësohet shfrytëzimi i qëndrueshëm me kontrata afatgjata për kompani të shfrytëzimit të specializuara në këtë fushë.
Stafi profesional me inxhinierë të pyjeve në Agjencinë Pyjore të Kosovës është mjaft i ulët dhe nuk është i mjaftueshëm për damkosje të drurëve për prerje të kërkuar sipas ligjit. Prandaj shtimi i stafit teknik profesional është i domosdoshëm. Si shtesë me mbështetje të projektit të FAO-s përdorimi i teknologjisë moderne si dron dhe kamera-kurth të integruara do të shtojë efikasitetin e monitorimit dhe parandalimin e aktiviteteve ilegale.
Në vitin 2021 qeveria ka themeluar task-forcën për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve. Synim kryesor i kësaj taskforce është dhe koordinimi institucional dhe bashkërendimi i aktiviteteve për parandalim të prerjeve ilegale. Si pjesë e kësaj taskforce janë dhe gjyqësori dhe Policia e Kosovës, të cilat do të shtojnë efikasitetin e intervenimit në rast të prerjeve ilegale.
Përpos stafit profesional të mangët ne Agjencinë pyjore te Kosovës dhe komuna, e njëjta situatë është dhe në Inspektoratin Pyjor të Kosovës. Edhe në këtë drejtori duhet të shtohet stafi profesional inxhinierë të pyjeve me eksperiencë në fushën e pyjeve të cilën kanë njohuri të mira dhe eksperiencë në sektorin e pylltarisë dhe monitorim të zbatimit të planeve menaxhuese, planeve vjetore dhe menaxhimin e ekosistemeve pyjore.
KOHA: Duke marrë parasysh kujdesin aktual ndaj tyre, si parashikoni se mund të jetë situata me pyjet pas 10 vjetëve, a ka rrezik të degradimit të tyre?
Hajredini: Nëse pylltaria nuk do të konsiderohet si sektor prioritet për shtetin, dhe nëse vazhdohet me presion të lartë ndaj pyjeve në forma të ndryshme, shkatërrimi dhe degradimi i resurseve do të jetë i pashmangshëm. Masa emergjente që janë të nevojshme menjëherë kanë të bëjnë me, shtimin e stafit profesional inxhinier dhe teknik të pyjeve, sigurimin e alternativave të lëndëve djegëse për ngrohje, krijimin e një fondi për pyje, ngritjen e arsimit dhe trajnimit profesional për pylltari dhe ngritjen e vetëdijes të opinioni publik për rolin dhe mbrojtjen e pyjeve.
Edhe pse ka indikacione te zvogëlimit të prerjeve për arsye të largimit të njerëzve të rinj nga Kosova, nëse situata energjetike nuk përmirësohet dhe nëse nuk ka kontroll më të mire të pyjeve, është rrezik i lartë që për 10 vjetët e ardhshëm resurset pyjore mund të zvogëlohen në mënyrë të ndjeshme.
KOHA: Nëse mund ta përkthejmë në humbje buxhetore, cila është mesatarisht kostoja vjetore e degradimit të pyjeve në Kosovë?
Hajredini: Bazuar në një studim te bankës botërore realizuar në vitin 2010 (Cost of Environmental Degradation in Kosovo), dëmi vjetor i shkaktuar nga prerjet ilegale të pyjeve sillet rreth 45 milionë euro në vit. Në këtë llogaritje janë përfshirë humbja nga vlera direkte e drurit, kostot dhe investimet që nevojiten për rikthimin në gjendjen ekzistuese të pyjeve si dhe humbjet e tjera.
Kjo vlerë mund të jetë më e madhe se kjo shifër nëse i shtojmë dhe funksionet që kanë pyjet në sekuestrim të karbonit, mbrojtjen e ujërave, erozionit, dëmtimin e habitateve dhe biodiversitet.
KOHA: A është i mjaftueshëm buxheti i ndarë nga ekzekutivi për administrimin me pyjet?
Hajredini: Buxheti i ndarë nga shteti për sektorin e pyjeve është i tejet i vogël dhe nuk mjafton për një menaxhim të qëndrueshëm të resurseve pyjore. Duke marrë në konsideratë që 60 % e sipërfaqes pyjore në Kosovë është me origjinë cungishte të cilat kanë prodhimtari të ulët, dhe po ashtu shumica e pyjeve janë pyje të reja, kërkohen masa silvikulturore të domosdoshme për të përmirësuar strukturën e këtyre pyjeve njëherë dhe cilësinë e tyre. Këto aktivitete kanë një kosto të konsiderueshme dhe duhet të jenë projekte të vazhdueshme dhe afatgjate.
Nëse do ta krahasojmë qarkullimin e supozuar vjetor nga pyjet siç është përmendur më sipër, rreth 50-60 milionë në vit, atëherë të hyrat që mund të gjenerohen nga sektori pyjor mund të jenë mjaftë të larta duke kontribuar deri në 1.7% të BPV-së. Për këtë arsye, investimet në këtë sektor janë të domosdoshme dhe kështu, buxheti i shtetit të përfitojë nga gjenerimi i këtyre të hyrave në formë legale.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.