Arbëri

Prokuroria: Rozeta Hajdari u mbrojt në heshtje për rastin e rezervave shtetërore

roz

Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, është mbrojtur në heshtje për rastin e rezervave shtetërorë të enjten në Prokurorinë Speciale. 

Prokuroria ka thënë se Hajdari është paraqitur për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës. 

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka thirrur znj. Rozeta Hajdari, që të paraqitet në prokurori për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës, në kuadër të hetimeve për rastin ‘Rezervat shtetërore’. Znj.Hajdari është ftuar me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit të këtij rasti penal. Megjithatë, znj.Hajdari e ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, sikurse herën e parë kur ishte ftuar në prokurori për këtë çështje. Rasti është duke u trajtuar në përputhje me rregullat dhe standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.


Hajdari pas intervistimit akuzon Prokurorinë Speciale për proces të paligjshëm

Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe e Industrisë, Rozeta Hajdari, është intervistuar sërish në Prokurorinë Speciale të Kosovës në lidhje me hetimet për rezervat shtetërore.

Pas intervistimit, Hajdari ka thënë se ministria kishte vepruar në përputhje me ligjin në procesin e furnizimit me rezerva shtetërore në fillim të vitit 2022, në një periudhë të ndjeshme për vendin.

“Ministria ka bërë blerjen e rezervave shtetërore në kohën kur ishim të pambrojtur, në shkurt 2022 dhe mars 2022. Për këtë proces jetik tani pyetem nga Prokuroria Speciale, por një pyetje vjen se a është ky proces i ligjshëm dhe si prokuroria hyri në ministri për të marrë dokumente të klasifikuara si sekret të rezervave shtetërore. Asnjë person nuk mund të ketë qasje në rezervën klasifikuar sekret pa një procedurë të qartë ligjore sipas udhëzime të AKI-së dhe Agjencisë për mbrojtje të klasifikuara. Ne si Ministri i kemi klasifikuar vendet sekret sipas Ligjit për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara sipas nenit të rezervave shtetërore, por në realitet Prokuroria Speciale bëri një gabim si një hap të pamenduar mirë duke dërguar dy policë hetues pa certifikatë sigurie dhe duke marrë dokumentet brenda një orë në ministri”, u ka thënë ajo mediave. 

Hajdari ka kritikuar edhe prokurorin Valdet Gashin, pasi ka thënë se ai ka liruar nga përgjegjësia dy policët që kanë marrë dokumentet në ministri.  

“Prokurori Gashi vetë po autorizon dhe vetë po liron nga përgjegjësia policët e pacertifikuar me certifikate sigurie të nivelit sekret. Për më shumë, më vjen keq dhe turp se asnjëherë për këtë proces nuk është raportuar drejt. Më vjen turp edhe për veprimet e Gashit për shkeljen e ligjit. Për më shumë, ne si ministri kemi inicuar një hetim të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për të inciuar një hetim dhe për të ardhur në konstatim të kësaj shkeljeje të këtij konflikti të interesit, sepse e kemi te dokumentuar në raportin e Inspektoratit Policor në emailin e dokumentar, ku prokurori Gashi pranon konfliktin e interesit për të shqyrtuar këtë raport të IP-së, për më keq Prokuroria Speciale vetë i njëjti prokuror mbyll rastin. Unë e di që pas këtij hetimi nga Agjencia për Parandalimin e konfliktit ne do të përballemi në gjykatë”, shtoi Hajdari.

Hajdari ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale për këtë rast edhe vitin e kaluar. /EO

Pas Hajdarit, edhe Lipovica paraqitet për intervistim për rastin e rezervave

20 o. më parë / 31 kor 2025 14:30
Lipovica

Photo: Driton Paçarada

Pas intervistimit të ministres në detyrë, Rozeta Hajdarit, edhe Irfan Lipovica, ish-sekretar më Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur sërish në Prokurorinë Speciale për intervistim.

Ai ishte paraqitur në Prokurori edhe para dy ditësh, porse intervistimi qe shtyrë për sot.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se z.Irfan Lipovica është ftuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të hetimeve lidhur me rastin ‘Rezervat shtetërore’, mirëpo i njëjti e ka shfrytëzuar të drejtën ligjore për të mos u deklaruar. Për veprimet e tjera lidhur me rastin, publiku do të njoftohet me kohë”, ka theksuar në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësja e Prokurorisë Nora Luta.

Lipovica është një nga tre të dyshuarit në rastin e rezervave shtetërore, së bashku me afaristin Ridvan Muharremi dhe zyrtarin Hafiz Gara.