Arbëri

Hajdaraj i bën thirrje presidentes të mos ndërhyjë në punët e sistemit prokurorial: Askush s’është kërcënuar e shantazhuar

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj në konferencë për media

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj në konferencë për media

Foto: Driton Paçarada

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj ka insistuar se shkarkimi i Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është i ligjshëm dhe e mirëpresin qasjen e Kelmendit që të ndjekë rrugët ligjore për ta kontestuar ligjshmërinë e këtij vendimi.

Ai ka theksuar se tentimi për të penguar punën dhe funksionimin e KPK-së përbën sulm në punën e këtij institucioni dhe kërcënim për rendin dhe sigurinë juridike, raportoi Ekonomia Online.

Hajdaraj ka mohuar që disa nga anëtarët e KPK-së janë shprehur se ndihen të rrezikuar dhe kanë kërkuar që Policia e Kosovës t’i mbrojë.

“Nga qëndrimet e njëanshme dhe denigruese nga Kelmendi është zbehur ndjeshëm roli unifikues, për këtë arsye kemi marrë vendim për shkarkimin e tij. Për shkak të kësaj arsye sistemi prokurorial ka mbetur pa dekretimin e kryeprokurorit. Kemi marrë vendim për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita që ushtronte dhe në vend të tij ka ardhur Agron Qalaj, ne e mirëpresim qasjen e Kelmendit që të ndjek të gjitha rrugët ligjore dhe duhet t’i besojmë sistemit gjyqësor. Tentimi për të penguar punën përbën sulm drejtpërdrejtë të institucioneve dhe kërcënim për rendin dhe ligjin. Kësisoj ai nuk e ka kryer detyrë e tij sipas Kushtetutës dhe ligjit... Ju bëj me dije se sipas ligjit të KPK-së, secili anëtarë i këshillit është i pavarur... Referuar deklarimit të anëtarëve të Këshillit të mbajtur në atë konferencë se ndihen të rrezikuar dhe kërkojnë mbrojtje nga AKI-ja dhe organet tjera të sigurisë, përbën hije të keqe. Askush nuk është kërcënuar, kanosur, shantazhuar apo tentuar që të ndikohet nga një formë e vendimeve të paligjshme… Dallimet që i kemi duhet t’i kalojnë me gjuhën e komunikimit dhe koordinimit, nuk ka dhe nuk do të ketë vend për përçarje të sistemit prokurorial. I bëjmë thirrje presidentes, qeverisë dhe çdo institucioni tjetër që të mos ndërhyjë në punët e sistemit prokurorial dhe të respektoj pavarësinë institucionale”, ka thënë Hajdaraj.

Ai ka shtuar se respekton dhe bashkëpunon me BE-në, por nuk ka dashur të komentojë deklarimet e shoqërisë civile të cilët kanë kontestuar vendimin për shkarkimin e Kelmendit.

“Ne respektojmë dhe bashkëpunojnë me BE-ne ne kemi respektuar ligjin dhe jemi për respektim të ligjit, ne nuk i komentojmë deklarimet e shoqërisë civile siç e dini që kjo çështje do të shkojë në gjykatë dhe për neve çdo vendim i Gjykatë është i diskutueshëm. Ne jemi në përputhje me ligjin, vendimi ynë është publik, sot e kuptova që është Kelmendi ka bërë padi dhe ne presim vendim të gjykatës”, tha ai.