Arbëri

Grushtet e ligjvënies

Salla e seancave në Kuvendin e Kosovës ka njohur sharjet, fyerjet, talljet... e edhe tymin, por më 2023 provoi edhe rrahjen klasike me grushte. Goditjet e Kuvendit nuk ishin vetëm fizike mes deputetësh e ministrash. Nuk munguan as të tillat që qëlluan edhe vetë institucionin. Me masën e ligjeve të miratuara, deputetët punuan përgjysmë më pak se në vitin paraprak. Por, u përpoqën ta maskonin këtë duke mbajtur seanca të jashtëzakonshme në fund të dhjetorit për ta rritur bilancin me miratim industrial ligjesh. Të shumtë ishin edhe ata që mashtronin – nënshkruheshin për të marrë mëditjet, por iknin nga seancat duke pamundësuar kuorumin. Bojkoti opozitë-qeveri dhe pastaj edhe anasjelltas, ia humbi kuptimin shtyllës ligjvënëse të shtetit ku populli përfaqësohet

Tre vjet më parë u zgjodhën për t’i zënë karriget e ligjvënësve, por gjatë 2023-s, deputetët e Kuvendit të Kosovë më shumë bllokuan punën e tij, munguan në seanca, u rrahën, u shanë e u fyen. Mes vete e edhe me ministra. Nuk pati bashkëpunim mes përfaqësuesve të partive në pushtet me ata të opozitës. Kuorumi nuk bëhej. Ligjet që u miratuan ishin në numër të vogël. Qeveria s'u jepte llogari deputetëve. Pasojat ishin të shumta.

Monitoruesi i punës së Kuvendit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, ka numëruar problemet që kanë identifikuar punën e Legjislativit përgjatë që lamë pas.

"Mungesa e kuorumit në seanca parlamentare, gjuha joparlamentare, përleshjet fizike, papërgjegjësia dhe jollogaridhënia e qeverisë përballë Kuvendit, moszbatimi i Rregullores së Kuvendit nga kryesuesi i seancës, bojkoti i opozitës në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, bojkoti/pengesa i/e shumicës parlamentare në konstituimin e komisioneve hetimore dhe mungesa e transparencës te votimi elektronik i deputetëve".

Rrahja

Mbledhja plenare e 13 korrikut do të hyjë në histori si një ndër seancat me hijen më të keqe, të mbajtura ndonjëherë në Kuvendin e Kosovës. Zhvillimet e disa ditëve para kësaj date, kishin mbledhur në seancë një numër goxha të madh të deputetëve sidomos të opozitës. Donin ta shfrytëzonin foltoren për ta gjykuar një bisedë të përgjuar të shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, me ish shefin e grupit parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, e ku ishte përmendur edhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq. Opozita kishte hedhur një varg akuzash në drejtim të Kusarit e Qeverisë për bashkëpunim me Radojqiqin. Por, seancës i ndërroi kahja tërësisht kur në foltore doli kryeministri Albin Kurti që t'u kundërpërgjigjej akuzave. Deputetët të PDK-së nisën me aksione tek brohorisnin në drejtim të kryeministrit "rrenc e mashtrues". Vendosën në foltore një fotografi të tij të ilustruar me hundën e gjatë të personazhit të filmave vizatimorë "Pinokio". Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, u bë "sebepi" që rrjedha e seancës dalëngadalë të dilte në një dimension krejt tjetër, që nuk e njeh demokracia. Ai hoqi fotografinë nga foltorja. Pas tij deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, kapi shishen e ujit dhe e gjuajti me ujë fillimisht Kurtin, e më pas edhe Bislimin. Por, ky i fundit ia ktheu me shishe. Pas këtij momenti, salla e Kuvendit u shndërrua në arenë rrahjesh. Përleshja fizike, ku u shpërndanë grushte të shumta përfshiu deputetë të PDK-së, zëvendëskryeministrin Bislimi, ministra të Qeverisë e deputetë të tjerë të LVV-së. Fjala s'kryente punë. U thirr edhe Policia për intervenim. Kur pas disa minutave dajaku u ndal, foltorja u barrikadua. Fjalimet nuk mund të mbaheshin. Bllokada zgjati me orë. Opozita kërkonte ndërprerjen e seancës e pushteti nuk dorëzohej në këtë kërkesë. Seancës iu mundësua vazhdimi tek pasi zëvendëskryeministri Bislimi e la sallën. Pak minuta më vonë, seanca u braktis edhe nga deputetë të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Rrëmujën e shkaktuar në Kuvend, kryeparlamentari e vlerësoi si e një ndër episodet më të rënda për Kosovën. Përdorimi i dhunës në Kuvend ishte dënuar nga akterë të ndryshëm brenda e jashtë shtetit. Përveç rrahjes, pothuajse në të gjitha seancat diskutimet janë karakterizuar me përplasje verbale, me ofendime e të shara. Në një rast, deputeti i Lidhjes Demokratike, Kujtim Shala, që është nënkryetar Kuvendi, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës e profesor universitar, e kishte sharë kryeministrin Kurti me shprehje eksplicite. Për këtë gjuhë të përdorur kishte marrë vërejtje nga kryeparlamentari, por megjithëkëtë, ai nuk kishte kërkuar falje. Gjuha joparlamentare e përdorur në Kuvend u kritikua edhe nga Komisioni Evropian në raportin për vendin. Monitoruesi i punës së Kuvendit, Jakaj, thotë se pikërisht komunikimi degraduar mes deputetëve ka prodhuar edhe dhunë në Kuvend.

"Gjuha joparlamentare ka qenë shumë e shprehur në këtë vit ku kjo gjuhë prodhoi edhe përleshjen fizike në seancën e 13 korrikut 2023. Në një shoqëri demokratike, përfaqësuesit e popullit do të duhej të ishin përfaqësues që bartin vlera dhe standarde ndërkombëtare të sjelljes. Si IKD, konsiderojmë se në këso situata, miratimi i një Kodi të Sjelljes për deputetët e Kuvendit do të duhej të ishte në agjendën e Kuvendit si prioritet", ka deklaruar Jakaj.

Grupe punuese që përfshijnë ligjvënës, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare e të shoqërisë civile, janë duke e hartuar Kodin e Sjelljes për deputetët, i cili për shkelësit do të parashohë sanksione. Por, sanksionet nuk parashihen të jenë fort të vrazhda. Deputetëve që ofendojnë, shajnë e nxisin dhunë në seancë të Kuvendit do t’u hiqen nga 35 euro prej pagës bazë të deputetit, e cila është në shumë prej 1722 eurosh.

Deputetët punuan gati përgjysmë më pak se më 2022-n

Intensiteti i punës së deputetëve gjatë vitit 2023 ra përgjysmë më ulët se gjatë vitit 2022. Më 2022-n miratuan 110 ligje. E, gjatë 2023-s, deri në mes të dhjetorit, miratuan krejt 58 sosh. Por, për ta maskuar këtë bilanc që nxirrte në pah “dembelinë e tyre”, deputetët e pushtetit ftuan seanca njëra pas tjetrës deri në tri sosh brenda ditës. Kësisoj deri më deri më 26 dhjetor, arritën të miratojnë edhe 12 ligje të tjera duke e çuar numrin e ligjeve të miratuara përgjatë vitit në 70. Por, rënia e ritmit të punës ishte vërejtur edhe gjatë sesionit pranveror. Për shtatë muajt e parë të vitit, deputetët nuk arritën të kryenin as gjysmën e punës që e kishin kryer në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Për këta muaj ata kanë miratuar 43 ligje, për dallim prej sezonit të 2022-tës ku i kishin miratuar 87 sosh. Ndërkaq gjatë sesionit vjeshtor, për rreth katër muaj punë, deputetët kanë miratuar gjithsej 27 ligje. Pas “miratimin industrial” të ligjeve gjatë funddhjetorit, në procedurë të shqyrtimit atyre u kanë mbetur edhe 45 projektligje. Me gjithë uljen e efikasitetit të punës, kjo legjislaturë e Kuvendit ka gjithsej 218 ligje të miratuara. Bilanc më të mirë, me 220 ligje të miratuara, ka vetëm legjislatura e katërt, ndonëse ka pasur mandat më të gjatë. Gjatë vitit 2023, deputetët mes tjerash, miratuan Ligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Ligjin për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Ligjin për pagën minimale, për skemat pensionale të financuara nga shteti e atë për zgjedhjet e përgjithshme. Por, pushteti u sfidua herë pas here edhe nga deputetë të tij. Ligjvënës nga Vetëvendosja kanë lënë peng qe disa muaj projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, i cili deri tash është shqyrtuar vetëm në lexim të parë. Debat i ashpër mes disa deputetëve të LVV-së dhe ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, ishte bërë edhe gjatë shqyrtimit të Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Si shkak i mos mbështetjes nga disa deputetë të koalicionit qeverisës, pa u miratuar ka mbetur edhe Kodi Civil, i cili as më 2022, për arsyen e njëjtë, nuk kishte mundur të miratohej. Edhe pse me programin legjislativ të Qeverisë Kodi Civil ishte përcaktuar të sillej në seancë deri në qershor të vitit 2023, si pasojë e mungesës së konsensusit brenda grupit parlamentar, ai u hoq tërësisht nga agjenda e Qeverisë për vitin që po shkon.

Mungesa e kuorumit

Kuvendi nuk i shpëtoi problemit me mungesën e kuorumit as në vitin 2023. Shpeshherë seancat dështuan në mungesë të 61 deputetëve pjesëmarrës. Në të shumtën e herëve ligjet nuk u miratuan për shkak të mungesës së deputetëve që merrnin mëditjet e pjesëmarrjes. Gjatë sesionit pranveror, mungesa e të zgjedhurve të popullit ishte më e theksuar. Sipas një raporti të Institutit Demokratik të Kosovës, të publikuar në gusht pas përfundimit të sesionit, ishte vërtetuar se në shumicën e rasteve deputetët u nënshkruan për mëditje, por nuk e bënë kuorumin vendimmarrës në seancë. Edhe pse punimet e Kuvendit sfidoheshin nga mungesa e kuorumit, sipas raportit, në pothuajse secilën prej seancave, për mëditje ishin të nënshkruar mesatarisht 90 deputetë, të cilët më pas largoheshin nga salla. Në 49 seancat e mbajtura gjatë sezonit të pranverës, u evidentuan 972 mungesa të deputetëve. Sipas raportit, shifra më të larta të mungesave kanë treguar deputetët e partive opozitare. Grupi parlamentar i LDK-së në raport me numrin e deputetëve ka shënuar gjithsej 122 mungesa, pasuar nga GP i PDK-së me 129 mungesa, pastaj nga e ai i AAK-së me 52 mungesa. Ndërkaq, partia në pushtet Vetëvendosje ka pasur 188 mungesa. Kjo sipas IKD-së ka ndikuar nga domosdoshmëria e deputetëve të LVV-së për të marrë pjesë në seanca për ta krijuar shumicën e nevojshme për miratim të ligjeve. Por, në Raportin e Progresit ishte kritikuar pushteti i cili, edhe pse e kishte shumicën parlamentare, dështonte t'i miratonte ligjet e reformat evropiane. Madje në këtë raport, Komisioni Evropian kishte kërkuar nga Kuvendi që t'i ndëshkojë deputetët që mungojnë pa arsye.

“Mungesa, ardhja me vonesë dhe largimi i hershëm nga seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve janë bërë praktikë e zakonshme. Rregullores së re të Punës i mungojnë masat për vendosjen e gjobave financiare (ose të tjera) për mungesë të pajustifikuar në seancat parlamentare”, është thënë në Raportin e Progresit.

Si pasojë e mungesës së deputetëve, pikat e rendit të ditës janë bartur nga seanca në seancë, duke u grumbulluar e zvarritur për muaj të tërë. Edhe Jakaj nga IKD-ja, thotë se përgjegjësinë për mungesën e kuorumit duhet ta bartë koalicioni qeveritar.

"Që nga konstituimi i kësaj legjislature, shumica parlamentare ka qenë e paaftë t’i miratojë shumicën e projektligjeve që ka propozuar Qeveria. Për më tepër, paaftësia është vërejtur veçanërisht tek ligjet jetike, siç është ai për Kodin Civil, pastaj Projektligji për Fertilizimin e Asistuar Mjekësor. Mosarritja e kuorumit në procesin e vendimmarrjes nga ana e shumicës parlamentare është vërejtur në më shumë se 50% të seancave plenare këtë vit", ka thënë Jakaj.

Bojkoti i opozitës

Rrahja në Kuvend që u bë kah fundi i sesionit pranveror pati ndikim të madh në mbarëvajtjen e punës së Legjislativit për muajt e ardhshëm të sesionit vjeshtor. Si rezultat, opozita bojkotoi votimin për cilindo projektligj që shqyrtohej. Kjo kishte zvarritur agjendën duke i lënë ligjet me muaj në procedurë, pa pasur mundësi votimi, meqë edhe pushtetit i mungonin shpesh numrat e nevojshëm në seancë. Në përjashtim të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishin marrë qëndrim politik që të mos mbështesnin as marrëveshjet ndërkombëtare. Nga fillimi i sesionit vjeshtor e deri në nëntor ishin grumbulluar 10 marrëveshje ndërkombëtare që kishin mbetur peng i 80 votave të deputetëve për ratifikim. Marrëveshjet kapnin shifrën e mbi 420 milionë eurove. Në nëntor, AAK-ja reflektoi mbi qëndrimin e saj dhe disa prej këtyre marrëveshjeve me projekte milionëshe u ratifikuan. Jakaj thotë se në këtë situatë Qeveria është dashur të tregojë më shumë fleksibilitet dhe ta rrisë bashkëpunimin me deputetët opozitarë, meqë votat e tyre janë determinuese për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

"Qeveria nuk mund të jetë arrogante por duhet t’i shterë të gjitha mundësitë që të dialogojë në mënyrë transparente me opozitën që marrëveshjet ndërkombëtare që në shumicë janë financiare dhe që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarit, të votohen e të kalohen pa probleme politike. Kjo nuk e amniston opozitën nga përgjegjësia për t’i votuar ato kur bëhet fjalë për marrëveshje që prekin dhe lehtësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës", ka deklaruar ai.

Për ligjet, të cilat opozita me gjithë bojkotin nuk mund ta pengonte miratimin e tyre, betejën e zhvendosi në Gjykatën Kushtetuese. Brenda këtij viti, tri ligje të Qeverisë janë rrëzuar pjesërisht apo tërësisht nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata e shpalli antikushtetues në tërësi Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ndërsa, e rrëzoi pjesërisht Ligjin për Zyrtarët Publikë. Aktualisht në Gjykatën Kushtetuese është duke u vlerësuar kushtetutshmëria edhe e pesë ligjeve të tjera, si të atij për Pagat, Ligjit për Pagën Minimale, Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe Kodit të Procedurës Penale. Shumica e tyre janë dërguar në Kushtetuese nga partitë opozitare.

Bojkoti i Qeverisë

Si pasojë e mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare nga një pjesë e opozitës, kryeministri e ministrat e Qeverisë kishin vendosur që të mos u përgjigjeshin pyetjeve të deputetëve mosvotues. Bojkoti i qeveritarëve kishte lënë pa përgjigje rreth 80 pyetje të deputetëve. Pyetjet e ligjvënësve janë mjet me të cilin Kuvendi ushtron kontroll parlamentar ndaj Qeverisë. E ky kontroll është i rregulluar me Ligjin për Qeverinë.

“Qeveria për punën e vet i përgjigjet Kuvendit. Përgjegjësia e tillë ushtrohet përmes instrumenteve të mbikëqyrjes parlamentare të përcaktuara në Kushtetutë dhe legjislacionin tjetër në fuqi”, thuhet në ligj.

Jakaj nga IKD-ja e sheh si jodemokratik këtë veprim të Qeverisë. Ai thotë se është detyrë e Kryetarit të Kuvendit që t'ua tërheqë vërejtjen kryeministrit e ministrave që nuk u japin llogari të zgjedhurve të popullit.

"Në asnjë rrethanë, Qeveria nuk mund t’i kushtëzojë deputetët e Kuvendit për t’iu përgjigjur në pyetjet parlamentare me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo praktikë është jodemokratike dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës përcakton përgjegjësinë politike të qeverisë përballë Kuvendit, si dhe mënyrën e kërkimit të përgjegjësisë. Kjo realizohet nëpërmjet instrumenteve të ndryshme të kontrollit parlamentar ku hyjnë edhe pyetjet parlamentare", ka thënë Jakaj.

Ministrat kanë munguar edhe në seanca, të cilat kanë pasur si pikë të rendit të ditës vetëm pyetjet parlamentare.

Kuvendi përgjatë vitit është kritikuar edhe për mungesë transparence meqë që nga 2020-a nuk funksionon votimi elektronik e për pasojë votat e secilit deputet, pro apo kundër projektligjeve, nuk evidentohen e as publikohen askund.

Deputetët serbë me dy paraqitje në vit morën nga 20 mijë euro

Dhjetë deputetët serbë që ishin betuar në nëntor të vitit 2022, gjatë 2023-s kanë ardhur në seancë vetëm dy herë të tjera. Njëherë në prill e njëherë në shtator. Të dyja herët sa për ta zgjatur mandatin, meqë Kushtetuta e Kosovës thotë se mandati i një deputeti bëhet i pavlefshëm kur mungon gjashtë muaj rresht në seancat e Kuvendit. Nga ta nëntë deputetë i takojnë Listës Serbe dhe i dhjeti Iniciativës Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Të dhjetët paguhen me pagë bazë prej 1722 euro në muaj, njësoj si të tjerët që marrin pjesë në seanca e Komisione Parlamentare. Në raportin për Kosovën, Komisioni Evropian dha vërejtje për deputetët serbë të cilët e kanë bojkotuar punën e Kuvendit mbi një vit. Aty u tha se mungesa e tyre ka krijuar si pasojë bllokimin e miratimit të ligjeve me interes vital. Por njësoj si ta, veprojnë mbi një vit edhe Adem Hoxha i Partisë Unike Gorane dhe Fadil Gashi i Iniciativës Romane. Ata paraqiten në seancë bashkë me deputetët serbë rreth çdo gjashtë muaj. Të gjithë këta deputetë aktualisht janë pa grup parlamentar. Pa grup parlamentar kanë mbetur edhe dy deputetët Haki Abazi e Fatmir Humolli, që u larguan nga Lëvizja Vetëvendosje në fillim të këtij viti për shkak të pakënaqësive brenda grupit. Koalicioni qeverisës, që përfshin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ata të Listës Guxo dhe tetë deputetët e grupit multietnik ka mbetur me gjithsej 64 ligjvënës. 18 ka PDK-ja, 16 LDK-ja dhe 8 AAK-ja. Gjatë vitit që po lëmë ishte iniciuar edhe një mocion mosbesimi nga AAK-ja, por që nuk kishte arritur t'i mblidhte nënshkrimet e nevojshme për procedim, as nga deputetët opozitarë.