Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Molliqaj: Në sistemin tonë ku nuk ka kushte, gjysma e punës kryhet prej familjarëve

Vlorian Molliqaj

Njohësi i politikave shëndetësore, Vlorian Molliqaj, ka thënë se është skandaloze që familjari që kujdeset për pacientin në Shërbimin Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, të shihet si pengesë.   

Ai në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se diskutimi rreth tarifës prej 3 euro për natë, por familjarët që qëndrojnë me pacientët e shtrirë, nuk duhet të shtrohet rreth asaj a është tarifa e lartë apo jo, por se si shihet roli i familjarit në këtë rast. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas Molliqajt shumica e shteteve rolin e familjarit në këtë rast nuk e shohin si pengesë. 

“Për mua është goxha skandaloze të thuash ‘ku kanë qenë familjarët gjatë pandemisë’, sepse ne e dimë ku kanë qenë, unë vetë kam qëndruar në Infektivë gjithë kohën, edhe është rast tjerë s’po dua ta marr shembull pandeminë, sepse aty dihet që ka pasur një numër të paparashikueshëm”, ka theksuar ai. 

Ai ka thënë se familjarët është tash kanë nevojë të qëndrojnë në QKUK.

“Pa dashur asnjëherë të nënvlerësojë rolin e personelit shëndetësor të cilët po bëjnë punë të jashtëzakonshme në kushtet që i kanë, por nuk janë të mjaftueshëm”, është shprehur Molliqaj, duke shtuar se vet Oda e Infermierëve ka konstatuar se rreth 500 infermier i mungojnë Kosovës. 

“Nuk po dua të them që familjarët duhet ta luajnë rolin e infermierit apo të mjekut, por të kthehemi te roli kompelemetar, nuk është vetëm mbështetja emocionale, por sidomos në sistemin tonë ku nuk ka kushte, aty gjysma e punës, jo kujdesi shëndetësor, kryhet prej familjarëve, duke filluar nga çarçafët, barnat që duhet t’i blejë dikush, ushqyerja e të tjera”, ka shtuar ai.

Molliqaj ka thënë se shtetet me sistemet më të mira shëndetësore jo vetëm që e shohin rolin e familjarëve si komplementar, por edhe e mbështesin dhe e financojnë atë.

“Shtetet me sistemin më të mirë shëndetësor, si shtetet nordike, jo që ju kërkojnë para shtesë, por ua paguajnë transportit familjarëve, me kushtin që ata do të qëndrojnë me familjarin e vet. Ne jo që nuk po e bëjmë atë mbështetje, jo që nuk po e lëmë falas, jo që po ju qesim tarifa, por po ju themi që ju vetëm po na pengoni”, ka theksuar Molliqaj.


Vitija: Pagesa prej 3 euro do t'ia vlente sikur në SHSKUK të kishte kushte të duhura

Gazetari i gazetës “Shneta”, Bujar Vitija, ka thënë se prania e familjarëve është e domosdoshme në QKUK, pasi ata duhet të kujdesen për blerje të barnave dhe materialeve shpenzuese kur mungojnë. Po ashtu ndihmojnë pacientët që të shkojnë në tualete gjatë natës. 

Vitija ka thënë se pagesa prej 3 euro për shoqëruesit e pacientëve mbi 15 vjet për 24 orë, do t’ia vlente po të kishte kushte të duhura në objektet në SHSKUK. Por, ai tha se mungojnë kushtet. 

“Familjari kujdeset për blerje të barnave kur mungojnë ato, si dhe për blerje të materialeve shpenzuese. Po ashtu gjatë natës, kur pacienti ka nevojë që të ndihmohet për të shkuar në tualet ai duhet të ndihmohet. Nyjat sanitare lënë shumë për të dëshiruar në SHSKUK dhe në spitale rajonale e në QKUK. Viteve të fundit ka pak përmirësime, por fatkeqësisht janë në gjendje të keqe. Një pjesë të fajit ndoshta e kanë edhe vet pacientët e familjarët, që nuk kujdesen kur i shfrytëzojnë. Po, prania e familjarëve është e domosdoshme. Po të kishte së paku kushte, që shoqëruesi të kishte së paku komoditetin të qëndronte afër pacientit do t’ia vlente ajo pagesë. Por, nuk ka kushte”, tha Vitija. 


Gashi: Mbi 80 për qind e pacientëve lirohen nga pagesat për shërbimet e marra

Drejtori i financave në SHSKUK, Enver Gashi, ka thënë se mbi 80 për qind e pacientëve janë të liruar nga shërbimet që marrin nëpër objektet në kuadër të SHSKUK. 

“Asnjëri nuk e përmend se më tepër se 80 për qind e pacientëve nuk paguajnë...Këta qytetarë janë të liruar nga pagesat, me Udhëzimin Administrativ. Shumica e pacientëve që vinë te ne lirohen nga pagesat për shërbime”, tha Gashi.

 


Kodra: Në spitale jo veç pacientët sulmojnë, sot pamë që edhe mjekë rrihen mes vete

Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve, ka thënë se prania e familjarëve nëpër spitale është e domosdoshme për pacientët pasi shumë shërbime nuk kryhen nga stafi shëndetësor, duke filluar nga blerja e ilaçeve, ushqyerja e pacientëve dhe pastrimi i tyre.

Kodra në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se taksa prej tri euro është në kundërshtim me interesin e tyre prandaj edhe vijnë ankesa nga stafi shëndetësor se po sulmohen nga pacientët. Megjithatë Kodra, si njëri nga panelistët në këtë debat, deklaroi se gjatë ditës pamë një video që edhe mjekët po rrihen mes vete dhe se dhuna nuk po vie vetëm nga pacientët.

“Institucionet shëndetësore janë të qytetarëve, ata paguajnë taksa që t’iu ofrohen shërbime. Nëse ju filloni të krijoni rregulla që janë në kundërshtim me interesin e tyre pa dyshim se do të vijnë t’iu sulmojnë. Nuk mund të themi që vetëm pacientët po sulmojnë pasi sot e pamë një video që edhe mes vete po rrahen mjekët”, ka thënë Kodra.

Dy kirurgë u përleshën më 26 janar të këtij viti në QKUK në Prishtinë, ndërkaq sot gjatë ditës ka qarkulluar video e momentit të sulmit dhe përleshjes mes kirurgëve që ndodhi brenda hapësirës së QKUK-së.

Ditën kur kishte ndodhur përleshja, Policia e Kosovës pati njoftuar se Sektori i Hetimeve i Kryeqytetit e ka marrë përsipër trajtimin e rastit që u cilësua si “sulm”.


Gori: Familjarët shpesh herë bëhen pengesë për infermierët

Nexhmije Gori, kryetare e Odës së Infermiereve të Kosovës, ka thënë se familjarët shpesh bëhen pengesë në punën e infermierëve.

Ajo ka theksuar se familjarët nuk mund ta luajnë rolin e infermierit, derisa ka shtuar se është ngarkesë për infermierin të merret me pacientin dhe me familjarin e këtij të fundit që mund të jetë emocional për shkak të gjendjes shëndetësore.

“Grumbullimi i madh i njerëzve aty e pengon punën profesionale të infermierëve. Shpeshherë ata janë më tepër pengesë sesa që ndihmojnë. Duke marrë parasysh që shpesh familjarët kur e shohin familjarin në gjendje të rëndë, shpesh revoltohen dhe shpesh edhe i sulmojnë punëtorët shëndetësorë”, ka thënë ajo në “Konfront”.

Pagesa e cila është e përcaktuar në Udhëzimin administrativ për bashkëpagesat për shërbimet shëndetësore që ka hyrë në fuqi në vitin 2024, ka nisur të zbatohet para rreth dy javësh. Ky udhëzim parasheh pagesën prej 3 eurosh për një natë për shoqëruesit e pacientëve.

Nga ky udhëzim, përcjellësit e pacientëve në Klinikën e Pediatrisë dhe në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve lirohen nga tarifa 3 euro për natë gjatë qëndrimit në klinikat e QKUK-së. Nga kjo tarifë përjashtohen gjithashtu përcjellësit e pacientëve të Klinikës së Onkologjisë dhe të gjitha klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht nëse pacientët janë të shtruar në klinika të tjera brenda QKUK-së. Po ashtu, nga pagesa përjashtohen të gjithë përcjellësit e pacientëve nën moshën 18 vjeç, si dhe pacientët me sëmundje kronike.