Arbëri

Godina e re Spitalit në Ferizaj, peng i politikës

Drejtuesit e spitalit dhe Komuna e Ferizajt kanë kërkuar mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë që projekti të finalizohej sa më shpejt, derisa kërkesat e qytetarëve për hospitalizim janë të mëdha.

Mosfinalizimi i punimeve ka bërë që të vështirësohet puna e stafit mjekësor gjatë kohës së pandemisë. Drejtori Spitalit rajonal në Ferizaj, Halit Gërbeshi, thotë se e ka të vështirë të menaxhojë punën në kohë pandemie në kushtet çfarë ofron godina e vjetër.

“Unë si menaxher i spitalit në një spital i cili është tmerrësisht i ngushtë, nuk kam hapësira as për menaxhimin e punonjësve e as të pacientëve, është tepër e vështirë në këto rrethana që ofron spitali i vjetër të kemi një kualitet të punës dhe një vijueshmëri efikase”, tha Gërbeshi.

Ai thotë se Ferizaj, si qyteti i tretë për nga numri i banorëve në vend, meriton më shumë.

“Në spitalin tonë nuk ka kushte për të qëndruar brenda, duke filluar nga infrastruktura e ujësjellësit, e ujërave të zeza, mungesa e hotelerisë etj. Pra, mjekët nuk kanë as kushte minimale për punë e lerë më për studime apo operacione të niveleve sekondare apo terciare”, ka bërë të ditur Gërbeshi.

E Lulzim Aliu, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, fton deputetët e Kuvendit të Kosovës që vijnë nga ky qytet të bëjnë presion. Thotë se kjo punë ka marrë ngjyrime politike.

“Është fatkeqësi e madhe nëse ata, deputetët në Kuvendin e Kosovës, i kemi nëntë gjithsej, nuk angazhohen për kryerjen e këtij projekti që është me rëndësi. Nuk është me rëndësi fare se kush e ka iniciuar projektin dhe kur ka filluar, por me rëndësi shumë të madhe është kur përfundon”, ka thënë Aliu.

Ai ka thënë se sipas dinamikës së punimeve ky projekt mund të zvarritet edhe në tre vjetët e ardhshëm derisa Ministria e Shëndetësisë të mos e zgjidhë problemin e pagesave me operatorin ekonomik.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje.