Në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka filluar gjykimi kundër ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku.
Por shqyrtimi fillestar ka dështuar pasi mbrojtja e të akuzuarit, avokatja Albana Kelmendi, ka propozuar shtyrjen e seancës, me arsyetimin se nuk posedon provat që kanë të bëjnë me rastin.
Prokurori i shtetit, Rasim Maloku, me këtë rast ka thënë se pala nuk ka kërkuar asnjëherë ndonjë shkresë lidhur me këtë lëndë.
“Më datë 23 tetor 2008 në Kaçanik si kryetar i komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare në kundërshtim me ligjin për procedurën e dhënies së konsesioneve . Më 2008 ka lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në pronë të komunës“, ka deklaruar Maloku.
Pas kësaj i akuzuari Zharku tha se për fajësinë do të deklarohet vetëm pas shqyrtimit të provave me mbrojtjen, gjë që bëri që gjykatësi Ibrahim Idrizi ta shtyjë shqyrtimin fillestar për 10 dhjetor.
“Por nëse i doni shkresat e lëndës për t’u deklaruar rreth fajësisë, duhet personalisht të deklarohet atëherë ne e shijojmë këtë variant”, ka thënë Ibrahim Idrizi, gjyqtar për krime të rënda.
Avokatja Albana Kelmendi ka thënë se Zharku do të shpallet i pafajshëm.
“Seanca është shtyrë për shkak të mospërmbushjes së detyrimit ligjor nga ana e prokurorit të shtetit për mospasje me shkresat e lëndës së klientit tim. Këtu janë deklaratat e dëshmitarëve dhe shkresat tjera të cilat i ka propozuar që të administrojnë si prova gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor”,ka pohuar Kelmendi.
Ish kryetari i Kaçanikut dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare për periudhën sa ishte kryetar komune në vitin 2010.
Sipas akuzës, Zharku më 2010 ia kishte dhënë një parcelë për shfrytëzim një kompanie private, ndërkohë ia kishte shitur një tjetre pa të drejtë ligjore.
Xhabir Zharku në vitin 2011 ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur.