Gjykatat e Kosovës nuk kanë adresuar ndonjë kërkesë në Gjykatën Speciale për çfarëdo procesi gjyqësor.
Themelorja në Prishtinës nuk e ka vazhduar procesin gjyqësor ndaj ish-deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, prejse ai u arrestua në tetor të 2023-tës me urdhër të Gjykatës me seli në Hagë, për t’u përballur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në kohën kur u arrestua, në Prishtinë ai po gjykohej në rastin për falsifikim të rezultatit zgjedhor në favor të ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla.
Themelorja e ka veçuar procedurën ndaj Shalës nga të pandehurit e tjerë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka parashtruar kërkesë për bashkëpunim drejtuar Gjykatës Speciale lidhur me dëgjimin e ndonjë dëshmitari apo gjykimin e ndonjë të pandehuri. Lidhur me çështjen penale së cilës i jeni referuar ju, ndaj të pandehurit H. SH. ju njoftojmë se trupi gjykues ka marrë aktvendim për veçim të procedurës në mënyrë që të mos prolongohet procedura në këtë çështje penale”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Shala është në qendrën e paraburgimit në Hagë tash e 13 muaj dhe është dënuar me tre vjet burgim, pasi në marrëveshje me prokurorinë e ka pranuar fajësinë.
Gjykata në Prishtinë, e cila konfirmoi se procedura ndaj ish-deputetit të AAK-së është veçuar, synon ta vazhdojë gjykimin, dhe për këtë ka planifikuar t’i drejtohet gjykatës në Hagë.
“Gjykata është duke vlerësuar çështjen e sigurimit të prezencës së të pandehurit në procedurë, duke përfshirë edhe kërkesën për bashkëpunim me Dhomat e Specializuara, për të kërkuar bashkëpunim në drejtim të sigurimit të prezencës së të pandehurit në seanca gjyqësore”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore.
E Gjykata Speciale në një përgjigje për KOHËN konfirmoi se nuk ka pranuar asnjë kërkesë bashkëpunimi nga gjykatat e Kosovës.
“Dhomat e Specializuara nuk japin detaje mbi letërkëmbimet e saj, përveç nëse ato janë pjesë e dokumenteve publike. Deri më tani, nuk ka asnjë dokument publik që tregon për kërkesa për bashkëpunim nga ana e gjykatave të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara.
Ligji për Dhomat e Specializuara parasheh që Gjykata e Hagës ka epërsi mbi të gjitha gjykatat e tjera në Kosovë dhe në cilëndo fazë të procedurës, gjykata apo prokuroria në Hagë, mund të urdhërojë transferimin e procedurave në juridiksionin e saj nga cilado prokuroi apo gjykatë brenda Kosovës. Por, kjo gjykatë, ndryshe nga ajo në Prishtinë, pjesë të juridiksionit lëndor nuk i ka veprat penale që lidhen me zgjedhjet, por vetëm krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe ato kundër administrimit të drejtësisë.