Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjykata shtyn ekzekutimin e vendimit që e kthente Njazi Thaçin si kryeshef në KEK

Vendimi i Inspektoratit të Punës për kthimin e Njazi Thaçit në pozitën e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës nuk do të zbatohet deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Kjo Gjykatë ka aprovuar propozimin e KEK-ut për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, pas padisë që kishte ngritur kjo ndërmarrje ndaj Inspektoratit të Punës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në aktvendimin e siguruar nga KOHA thuhet se KEK-u ka ofruar prova të besueshme të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimit do t’i sillte dëm paditësit, i cili dëm vështirë se do të riparohet.

KEK-u ka konstatuar se ekzekutimi i vendimit të atakuar nuk ka mundësi që të bëhet, pasi i mungon autorizimi ligjor pasi që KEK-u ka kompetenca vetëm për punëtorët me kontrata të fituara konform ligjit të punës dhe jo për pozitat të larta në këtë ndërmarrje.

Për këto pozita sipas KEK-ut, është përgjegjës Bordi, i cili vepron dhe zbaton Ligjin për Ndërmarrjet publike.

“Gjykata ka konstatuar se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të atakuar deri në vendosjen lidhur me padinë e paditësit është në interes publik, e që shtyrja nuk do t’i sillte dëm të madh as palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar”.

Kjo sipas Gjykatës, shmang pasojat e mundshme që do të shkaktoheshin në të ardhmen, nëse vendimi i kundërshtuar i së paditurës në fund të procesit gjyqësor, rezulton se është marrë në kundërshtim me ligjin.

Bordi i KEK-ut nuk ka dashur që të flasë për përmbajtjen e vendimit të Gjykatës, duke thënë se si të tillë do ta zbatojë në tërësi.

“KEK-u ka pranuar vendimin (nr: A.nr.1249/2020) nga Gjykata Themelore e Prishtinës i cili ka pezulluar ekzekutimin e vendimit të TEIP, (nr 355/2020 të dt: 04.07.2020) deri në vendimin definitiv gjyqësorë. Në këtë drejtim Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të KEK-ut, pa paragjykuar përmbajtjen e vendimit ka theksuar se i njëjti do të zbatohet në tërësi”.

Bordi në përgjigje për KOHËN ka thënë se ka udhëzuar menaxhmentin që në procesin gjyqësor të paraqesë argumente duke u bazuar në dispozitat në fuqi e me theks të veçantë bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe Shoqërive Tregtare, duke mbrojtur interesin e Korporatës.

KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga ana e Inspektoratit të Punës, por ata nuk janë përgjigjur.

Inspektorati kishte marrë vendim që obligonte Bordin e KEK-ut që të anulojë vendimin për shkarkimin e Njazi Thaçit dhe ta kthejë atë në pozitën e tij.

Ky institucion kishte konstatuar se vendimi i Bordit për shkarkim është në kundërshtim me Ligjin e Punës, por edhe ligjet e tjera të aplikueshme në vendin tonë.

Gjykata Themelore e Prishtinës, ditë më parë kishte hedhur poshtë edhe kërkesën e drejtorit të shkarkuar të KEK-ut për masën e sigurisë. Thaçi ka kërkuar që vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës të konstatohet i kundërligjshëm dhe të anulohet.

Krahas këtyre kërkesave, ka kërkuar edhe kthimin në vendin e punës në pozitën e kryeshefit ekzekutiv dhe kompensimin e pagës dhe beneficioneve nga pozita e punës.