Arbëri

Gjykata: Recensentët ia shumëfishuan arritjet kandidatit në FSHMN

Vlerësime jomeritore në pozitën për profesor në Fakultetin e Shkencave Matematike- Natyrore konstatoi se pati Gjykata Themelore në Prishtinë. Sipas aktgjykimit të tyre, komisioni recensues favorizoi kandidatin duke ia shumëfishuar arritjet. Në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim thonë se shpeshherë vlerësimet e recensentëve nuk verifikohen nga instancat në të cilën kalojnë për miratim.

Në konkursin e vitit 2018, për pozitën profesor asistent në Katedrën e Kimisë në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore po del se nuk pati vlerësim meritor.

Gjykata Themelore në Prishtinë në fillim të këtij viti konstatoi se komisioni i recensentëve favorizoi personin e zgjedhur për këtë pozitë, Hamit Ismaili, duke ia shumëfishuar arritjet.

“Të pandehurit në raportin vlerësues kanë fshehur-hequr, qëllimisht të arriturat e së dëmtuarës Miribane, në tabelën nr II.4, publikimet e monografive-librave, ku ka munguar libri monografik i botuar nga shtëpitë botuese gjermane në vitin 2011, si dhe kapitulli tjetër libër i publikuar nga e dëmtuara “Klotho Department Cellular Transport Regulation”, 2016, botuar nga shtëpia botuese prestigjioze ndërkombëtare Academic PRESS, Elsevier, si dhe kanë fshehur edhe shumë të arritura të tjera akademike dhe shkencore, ndërsa kandidatin tjetër Hamit Ismaili e kanë favorizuar duke shtuar e shumëfishuar të arriturat e paqena, të dhëna këto jo të vërteta të cekura në raportin e fundit vlerësues e më pas të dorëzuara në Senat, me çka të pandehurit kanë vënë në lajthim edhe vetë anëtarët e Senatit të cilët pastaj kanë zgjedhur si kandidat të suksesshëm kandidatin Hamit Ismaili”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Këtë vendim gjykata e mori pasi kundërkandidatja Miribane Dërmaku-Sopjani, në vitin 2019, ngriti kallëzim penal në Prokurori ndaj anëtarëve recensues, Ismet Hashani dhe Ramiz Hoti. Ajo thotë se është ankuar në të gjitha instancat e Universitetit të Prishtinës, por askund nuk mori përkrahje.

“Sipas Statutit të UP-së, neni 177, duhet që kandidati të ketë monografi, po ashtu edhe në rregulloren e asaj kohe është dashur që një nga kriteret kryesore të ketë monografi. Unë në atë kohë kam pasur monografi me recension ndërkombëtar, kurse kundërkandidati nuk e ka pasur, që të mos vijë që të dalë në pah, mua ma kanë fshehur këtë dokument”, ka thënë Miribane Dërmaku-Sopjani, asistente në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore.

Ndaj vendimit të Themelores recensentët kanë ngritur ankesë në Gjykatën e Apelit.

"Nuk kam qenë i ftuar në asnjë seancë dhe gjykata e ka marrë vetëm vendimin e personit që është ankuar dhe dëshminë që e ka dhënë dekani, normalisht që jam ankuar për këtë. Ne nuk kemi gabuar asgjë, kemi shkuar konform rregullores, kam përvojë 42-vjeçare në Universitet, kurrë nuk kam bërë gabime të tilla", ka thënë Ismet Hashani, profesor në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore.
Të gjitha akuzat ndaj tij i ka mohuar Ismaili, i cili këtë vit u rekomandua që të avancohej në profesor të Asocuar.

“Nëse nuk do të isha zgjedhur në mënyrë meritore, nuk do të kishte votim unanim nga Rektorati, nga Këshilli dhe nga Senati. E dyta, pa i plotësuar kriteret Universiteti nuk zgjedh askënd. Unë jam njeri adekuat i profilit, jam i doktoruar dhe i magjistruar në Kroaci”, ka thënë Hamit Ismaili, profesor asistent në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore.

Në Organizatën që monitorojnë konkurset e UP-së thonë se shpeshherë recensentët nuk japin vlerësime profesionale, ndërsa raportet e tyre nuk verifikohen nga instancat në të cilën kalojnë për aprovim.

“Të gjitha këto dërgojnë te komisioni i ankesave që thjesht e mbështet atë që është thënë nga komisioni vlerësues, Këshilli e voton se çka ka thënë komisioni vlerësues, krejt këto hallka nuk është që e vlerësojnë më thellësisht atë vlerësim, ata veç e konfirmojnë vlerësimin fillestar dhe askush nuk i shikon në detaje”, ka thënë Adea Kondirolli, hulumtuese në ORCA.

Konkurset për emërimin, riemërimin ose avancimin e personelit akademik në fakultetet e UP-së janë hapur në muajin maj. Para se kandidatët e rekomanduar të dërgohen në Senat për votim, raportet për ta vlerësohen nga Këshilli i fakultetit dhe nga trupi këshillëdhënës i Rektoratit.