Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
53-milionëshi

Gjykata: Qeveria s’pati borxhe ndaj “Bechtel&Encas”, Lekaj tentoi t’i ikë përgjegjësisë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se shteti nuk pati borxhe ndaj kompanisë “Bechtel Enca” për rastin ku i dënoi ish-ministrin Pal Lekaj dhe tre të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Lekaj dhe të akuzuarit e tjerë gjatë gjykimit patën thënë se Qeveria ka pasur borxhe e vonesa në pagesa ndaj kompanisë që punonte në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit. Por këto pretendime janë hedhur poshtë, sipas aktgjykimit të bërë publik ditë më parë

Shteti nuk pati obligime ndaj “Bechtel&Encas” që do ta rrezikonte në arbitrazh, është konstatuar në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “53 milionëshi”, i publikuar ditë më parë.

Me këtë aktgjykim, ish-ministri Pal Lekaj, ish-këshilltari i tij Eset Berisha, ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, dhe ish-shefi i prokurimit në këtë ministri, Besim Tahiri, janë dënuar secili me mbi tre vjet burgim. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Të akuzuarit, përfshirë Lekajn, kanë thënë gjatë gjykimit se i rekomanduan Qeverisë t’i jepte 53 milionë euro, meqë pati vonesa në pagesa e borxhe që mund ta çonin në Arbitrazh – ku shteti do të kërcënohej me humbjen e shumave edhe më të mëdha. Gjykata i ka marrë të dhënat e thesarit të Ministrisë së Financave për pagesat. 

Dhe, trupi gjykues i kryesuar nga Violeta Namani-Hajra ka konstatuar se mbrojtja që ka dhënë deputeti i AAK-së se në këtë mënyrë po shpëtonin buxhetin, është për t’i ikur përgjegjësisë penale që e ka në këtë rast. 

“Pas administrimit të kësaj prove, Gjykata ka vërtetuar faktin se pagesat për vitet 2014-2015 dhe 2016, që janë realizuar në llogarinë e kompanisë ‘Bechtel&Enka’, arrin në vlerë më shumë se gjysmën e vlerës së kontratës, andaj nuk qëndrojnë pretendimet e të pandehurit Pal Lekaj se qeveritë e mëhershme kanë pasur vonesa në pagesa të faturave në këtë projekt, po ashtu nuk qëndron as pretendimi i të pandehurit Pal Lekaj se në kohën e marrjes së mandatit, pas daljes në terren, vetëm 10% e punëve kanë qenë të kryera në terren, krejt ky deklarim i tij ka pasur për qellim që t’i shmangte përgjegjësitë penale, pasi që i njëjti pretendimet e tij nuk i ka arsyetuar me asnjë provë të vetme në këtë drejtim, nuk i ka ofruar Gjykatës as një faturë të vetme për mospagesë nga qeveritë e kaluara”, thuhet në faqen 80 të aktgjykimit.

Gjykata e Prishtinës ka vlerësuar, po ashtu, se kontrata me të cilën u zgjat afati i punimeve është e kundërligjshme, meqë nuk ishte paraparë kostoja financiare. 

“Pas administrimit të kësaj prove Gjykata ka vërtetuar faktin se drejtori i Divizionit të Prokurimit, Besim Tahiri, me kërkesën 7494 të datës 27.09.17 i është drejtuar ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe sekretarit të përgjithshëm U.D Nebih Shatri, lidhur me protokollin për nënshtrimin e vazhdimit të kohëzgjatjes së afatit të kontratës për projektin R6 Prishtinë – Hani i Elezit, ku e ka njoftuar se është përgatitur shkresa dhe është e gatshme për nënshkrim për zgjatjen e afatit deri më 31.12.2018, ndërsa çështja e kostos financiare për vazhdimin e kontratës të diskutohet dhe të miratohet me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, Gjykata gjen se e njëjta shkresë është përpiluar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, pasi të njëjtat rregulla nuk njohin marrëveshje-aneks po kontratë pa kosto financiare, e në mungesë të elementit kosto financiare e njëjta marrëveshje është e kundërligjshme”, thuhet në faqen 79  të aktgjykimit.

Sipas aktgjykimit, ish-këshilltari i ministrit Lekaj, Eset Berisha, i ka bërë presion dëshmitarit kryesor të Prokurorisë, Avdi Kamerolli, për të mos e përmendur raportin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” që pati vlerësuar se “Bechtel&Encas” duhej t’i paguheshin 17 milionë euro, e jo 53 milionë.  

“...Dëshmitari i dëgjuar ka sqaruar në detaje veprimet e kundërligjshme të pandehurit Eset Berisha, pasi që i njëjti i ka bërë presion që nga opinioni ligjor ta largojë emrin e kompanisë mbikëqyrëse ‘Hill Internacional’, kjo e thënë e dëshmitarit gjen mbështetje në opinionin në versionin e dytë ku me insistimin e të pandehurit Eset Berisha është larguar nga opinioni ligjor emri ‘Hill Internacional’ dhe është dërguar në ora 16:03 min. në emailin e të pandehurit Pal Lekaj, ku në cc (v.j korrespondencë) ka qenë edhe i pandehurit Eset Berisha, ku sipas vlerësimit të Gjykatës, i pandehuri Pal Lekaj ka qenë në dijeni dhe me dashje e ka udhëhequr procesin e kërkesave të pandehurit Eset Berisha në drejtim të dëshmitarit Avdi Kamerolli, duke i bërë presion për përpilimin dhe ndryshimin e opinionit ligjor...”, thuhet në faqen 113 të aktgjykimit.

Pos Kamerollit, Gjykata ia ka falur besimin edhe dëshmisë së deputetes Albena Reshitaj, e cila në atë kohë ishte pjesë e Komitetit Drejtues Ndërministror lidhur me menaxhimin e projektit të autostradës. Në dëshminë e saj, është aluduar se Lekaj e ka mashtruar, duke ia fshehur opinionin e kompanisë “Hill”. 

“...dhe sipas dëshmisë së dëshmitares në mbledhjen e KDNM-së (Komitetit Ndërministror), i pandehuri Pal Lekaj ka konstatuar se tani e kemi opinionin ligjor, por nuk ua ka prezantuar anëtarëve të KDNM-së në shikim dhe vlerësim, ku sipas vlerësimit të Gjykatës, të mos kuptohet nga anëtarët e KDNM-së se i njëjti opinion ka qenë i dedikuar vetëm për nevoja të kabinetit e jo për çështjen në fjalë, dëshmitarja me mirëbesim në thëniet e të pandehurve të lartcekur ka votuar pro këtij vendim, andaj Gjykata vlerëson se dëshmia e dëshmitares së lartcekur është reale dhe e sinqertë, gjen mbështetje në provat materiale në këtë çështje penale dhe nga kjo dëshmi vërtetohet gjendja faktike në këtë çështje penale”, thuhet në faqen 38 të aktgjykimit.

Aktgjykimi nuk e ka formën e plotfuqishme dhe ankesat e të akuzuarve kundër tij janë në trajtim në Gjykatën e Apelit.

Aktgjykimi i Themelores së Prishtinës është bërë publik më 20 mars.