Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për anulimin e zgjedhjes së kryeshefit të sekretariatit të KQZ-s, deri në vendosjen përfundimtare të çështjes. Ky proces ishte shoqëruar me shkelje të shumta ligjore e procedurave, për të cilat pati raportuar KOHA.
Nëpërmjet ankesës, kryeshefi i zgjedhur Burim Ahmetaj ka paditur Këshillin më 11 dhjetor dhe i ka kërkuar gjykatës shtyrjen e ekzekutimit me arsyen se atij do t’i bëhej dëm i pariparueshëm. Si rrallëherë, Gjykata është treguar “efikase” duke nxjerrë vendim pas vetëm tri ditësh.
“Gjykata duke vlerësuar propozimin e paditësit, gjen se paditësi nga provat të cilat ia ka bashkëngjitur padisë e ka bërë të besueshëm propozimin e tij se ekzekutimi i vendimit të goditur me padi do t’i sjellë dëm, i cili dëm vështirë do të riparohet, dhe se shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk është në kundërshtim me interesin publik, dhe as që shtyerja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës, të datës 14 dhjetor.
Shkeljet e konkursit për pozitën më të rëndësishme në ekzekutivin e KQZ-së, janë konstatuar që nga shpallja e tij kur janë ka ndryshuar kriteret . Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës kishte vendosur anulimin e zgjedhjes pas ankesës së njërit prej kandidatëve në garë, Yll Buleshkaj.
Rezultate jo objektive janë evidentuar për dy kandidatët më të poentuar. Dallimi në pikët e dhëna për të njëjtin kandidat nga anëtarë të ndryshëm të Panelit ka shkuar deri në 30 pikë. Kandidati Yll Buleshkaj nga 4 anëtarë të Panelit është vlerësuar me nga 100 pikë kurse nga tre anëtarë të tjerë me nga 73 dhe 75 pikë. Dallime të tilla ka pasur edhe te kandidati Burim Ahmetaj. I njëjti nga tre anëtarë të Panelit është vlerësuar me nga 100 pikë kurse nga një anëtar i Panelit me 71 pikë, një më shumë se vlerësimi minimal.
Ky proces rekrutimi është mbikëqyrur edhe nga Ambasada Britanike që ka konstatuar shkelje të shumta, sipas një raporti që ka publikuar KOHA.
Pjesa më e dobët e këtij procesi është vlerësuar poentimi i kandidatëve nga anëtarët e Komisionit, si jo transparent dhe sekret. Anëtarët e panelit kanë poentuar kandidatët pa e shkruar emrin e tyre. Kjo ka bërë që vetëm një numër i kufizuar i tyre t’i nënshkruajnë dokumentet e vlerësimit.
{gallery}