Arbëri

Gjykata e shkeli afatin ligjor me mosmbajtje të shqyrtimin fillestar ndaj Damkës

Gjykata Themelore në Prizren nuk e ka mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, si dhe familjarit të tij, lidhur me aktakuzën për sulm dhe kanosje ndaj oponentëve politikë, njëra prej të cilave është grua. Mosftesa e Damkës është edhe në kundërshtim me ligjin, meqë Kodi i Procedurës Penale përcakton se në rastet kur të pandehurit nuk janë në paraburgim, shqyrtimi fillestar duhet të mbahet brenda 30 ditësh nga ngritja e aktakuzës

Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal dhe kryetari i subjektit politik turk KDTP, Fikrim Damka, është duke u përballur me dy aktakuza, një që nga marsi për sulm e kanosje dhe një tjetër që nga 4 korriku për korrupsion.

Në rastin e parë, ku akuzohet për kanosje e sulm ndaj anëtares së subjektit tjetër politik turk YTPH, Arda Maloku, si dhe Muharrem Jables, nuk është mbajtur shqyrtimi fillestar edhe pse Kodi i Procedurës Penale parasheh që seanca të mbahet 30 ditë pas ngritjes së aktakuzës.

Mbrojtësi i Fikrim Damkës, Skender Morina, ka thënë për Kohën se përveç që nuk ka marrë ftesë, nuk e ka pranuar as aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit.

E Gjykata Themelore në Prizren e ka arsyetuar mosmbajtjen e seancës me ngarkesën e gjyqtarit të rastit me rreth 300 lëndë.

“Ju njoftojmë se lënda ndaj të akuzuarve Fikrim Damka dhe Fuad Damka, është pranuar në punë nga Gjyqtari më datën 25.03.2025. Zyra e Gjyqtarit aktualisht i ka aktive rreth 300 lëndë të natyrës ‘Penale Përgjithshme’, dhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, janë duke caktuar dhe trajtuar lëndë të vitit 2024, dhe lëndë të vitit 2023, që kanë pasur pengesa dhe nuk janë kryer. Lëndë të pranuara në punë në vitin 2025 caktohen dhe trajtohen ato lëndë që kanë prioritet ligjor”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prizren.

Sipas Planit Strategjik për efikasitetin dhe prioritezimin e lëndëve, i miratuar nga Këshilli Gjyqësor, ekziston mundësia që shqyrtimi fillestar për rastin ku së fundi Damka dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit në Ministrinë për Zhvillim Rajonal janë akuzuar për korrupsion, të mbahet më herët.

Kjo aktakuzë është ngritur 100 ditë pas asaj për sulm dhe kanosje.

Sipas Gjykatës, në këtë rast, edhe pse ka ndodhur në ditën e zgjedhjeve dhe afër një qendre të votimit, Prokuroria Themelore në Prizren nuk ka ngritur aktakuzë për ndonjë krim zgjedhor.

Kësisoj lënda ndaj dy të akuzuarve të lartcekur nuk hyn në grupin e lëndëve për trajtim me prioritet, sepse nuk e rrezikon parashkrimin, nuk është lëndë e kthyer në rigjykim, por lëndë e re e pranuar në punë, nuk ka të bëjë me veprat penale të Dhunës në Familje, të dëmtuarit nuk janë të kategorizuar sikur viktima të ndjeshme dhe vepra penale dyshohet se është kryer në muajin shkurt 2025, pra nuk është më e vjetër se dy vjet, si dhe ndaj të pandehurve nuk ka të caktuar masë të sigurisë (paraburgim, arrest shtëpiak apo masë tjetër)...Veprat penale, për të cilat e ka pranuar Gjykata aktakuzën, nuk hyjnë në kuadër të veprave penale të kapitullit kundër të drejtave të votimit, andaj trajtimi i rastit nuk ndërlidhet aspak me ndonjë proces të votimit apo zgjedhje në të ardhmen”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prizren.

E në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se tejkalimi i afatit 30-ditësh kur duhet të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar, nuk është i pazakontë për gjyqësorin, ndonëse kjo përbën shkelje ligji.

Hulumtuesi i lartë në këtë institut, Gzim Shala, ka thënë se vazhdimisht është vërejtur se gjyqësori i ka zvarritur rastet e politikanëve.

“Kemi pasur shumë raste të politikanëve që janë zvarritur dhe është vonuar trajtimi i tyre shumë më shumë sesa i qytetarëve të thjeshtë dhe kjo ka rezultuar deri në parashkrimin e rasteve, dhe që në njëfarë forme kanë përfunduar pa aktgjykim meritor. Definitivisht që këto raste e kanë përçuar një mesazh negativ te publiku, në rastet konkrete kemi pasur parashkrim e zvarritje vetëm për faktin se janë politikanë. Në këto raste kemi pasur zvarritje mbi zvarritje, që ka çuar në parashkrimin e disa rasteve”, ka thënë Shala.

Lidhur me të dyja aktakuzat, Fikrim Damka, gjatë paraqitjeve në publik, është deklaruar i pafajshëm.