Ndërtimet e planifikuara të 17 vilave buzë liqenit të Badovcit, sipas ish-zyrtarit të lartë në ish-organin krahinor për hidroekonomi, Avdi Gjonbalaj, duhet të parandalohen, sepse ato do të shtonin apetitet për ndërtime të tjera që do t’i rrezikonin burimet e ujit.
Përveç parandalimit të ndërtimeve, Gjonbalaj ka kërkuar edhe shtimin e masave për mbrojtjen e burimeve të ujit. Sipas tij, me plane hapësinore është e nevojshme të planifikohet në afat të gjatë rezervimi i hapësirave për destinime të veçanta në pajtim me nevojat e mbrojtjes së burimeve ujore në mjediset urbane.
Inxhinieri i ujërave ka thënë se dëmet që mund të shkaktohen nga këto ndërtime do të jenë të kushtueshme.
“Ndërtimet përreth Badovcit duhet të parandalohen, sepse në të kundërtën ‘shërimi’ nga ato do të jetë i kushtueshëm. Madje, nuk është e sigurt se do të shërohen”, ka shprehur drojën Gjonbalaj. Ai konsideron se tentativa për të nisur ndërtime rreth Badovcit është pasojë e Udhëzimit për zonat e mbrojtura sanitare, i cili nuk e ndalon decidivisht ndërtimin në zonën e dytë. Sipas tij, duhet të shfrytëzohet ky momentum për të kërkuar edhe ndryshimin e Udhëzimit.
Në intervistën për “E diela me ‘Koha Ditore’”, ai ka kritikuar institucionet për moskrijimin e politikave që do t’i mbronin resurset strategjike të vendit. Ka thënë se dikasteret gjegjëse nuk kanë bërë asnjë veprim për zgjerimin e kapaciteteve të ujit që ka Kosova.
Kritika ka drejtuar edhe për mënyrën se si jepen pëlqimet dhe lejet mjedisore, të cilat, siç ka thënë, kanë ndikuar që të degradohet mjedisi. Si shembull ka përmendur ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e parqeve nacionale, për të cilat ka pasur shkelje ligjore dhe dëmtim të biodiversitetit.
KD: Z. Gjonbalaj, ju keni marrë pjesë në ndërtimin e resurseve ujore të Kosovës që nga vitet ‘60. Kur është ndërtuar liqeni i Badovcit dhe cilat kanë qenë nevojat për ndërtimin e tij?
Gjonbalaj: Ndërtimi i Badocit ka përfunduar në vitin 1965. Është paraparë që uji nga ky liqen të shfrytëzohet për furnizimin e Prishtinës dhe për ujitjen e tokave bujqësore. Në atë kohë, Prishtina ka pasur pak ujë në Gërmi dhe fare pak tek Fusha e Pajtimit. Me rritjen e numrit të banorëve janë rritur edhe nevojat e Prishtinës për ujë. Badoci ka qenë e planifikuar që të furnizonte me ujë për ujitje 2 mijë e 360 hektarë tokë.
Me zgjerimin e kryeqytetit është hequr dorë nga shfrytëzimi i ujit të Badovcit për ujitje dhe vetëm miniera e Kishnicës e ka shfrytëzuar ujin për flotacion. Janë 2 mijë e 360 hektarë rrjet i ndërtuar që nuk është shfrytëzuar për të ujitur tokë, sepse nuk ka pasur ujë të mjaftueshëm. Është llogaritur fillimisht se nuk ka pasur vrojtime dhe janë lumenj të pahulumtuar.
Matjet empirike na kanë dhënë sasi më të mëdha uji sesa janë në realitet. Është llogaritur diku 800 litra në sekondë që i bie diku 25 milionë litra në vit. Liqeni mund të përpunojë dukshëm më shumë në qoftë se përdoret për ujitje. Kur ka ujë për ujitje duhet atë ujë me mbajt deri sa të fillojë sezoni i ujitjes....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)