Arbëri

Gjini: Sjelljet e Kurtit janë anti-Kosovë

Labinot Gjini

Labinot Gjini, anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar se veprimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, janë kundër Kosovës, duke thënë se Kurti po e pamundëson zhbllokimin e situatës politike.

Gjini ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se qëllimi i Kurtit është të diskreditojë Kosovën dhe institucionet e saj, derisa tha se veprimet e tij janë absurde dhe tepër të dëmshme.

Për kandidaten për kryeparlamentare, Albulena Haxhiun, Gjini tha se e ka polarizuar sferën politike.

“Është grua që e përçarë sferën politike. Ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në polarizimin politik dhe vazhdon ta bëjë edhe si kandidate për kryetare të Kuvendit...Ju ka tek Vetëvendosjes që të ketë vota nga Lista Serbe dhe t’i shpërfaqë ata sikur të ishin vota nga partitë opozitare. Qëllimi ishte i qartë, të shkojë në votim të fshehtë dhe të votohet nga Lista Serbe. Është bllokadë e qartë dhe e qëllimshme, e e vazhdueshme e Kurtit. E pabesueshme që kjo bëhet në një shtet normal”, ka thënë anëtari i Kryesisë së AAK-së.

Sipas Gjinit, zgjidhja më e shpejtë e ngërçit politik është që Vetëvendosje të vendosë një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit, por shtoi edhe Gjykata Kushtetuese mund të japë një zgjidhje.

Ai ka theksuar se Haxhiu duhet të largohet pasi ka dështuar disa herë radhazi.

“Qëllimi i Kurtit ka qenë që ta diskreditojë këtë vend dhe këto institucione. Sjelljet e Kurtit kanë qenë anti-Kosovë, antikombëtare dhe këto tregojnë njëra pas tjetrës që pos anës absurde, janë edhe tepër të dëmshme për aspekte legjitime. S’e di që e ka dëmtuar dikush më shumë, sidomos sistemin e drejtësisë apo sisteme të tjera institucionale sesa Kurti e Haxhiu. Duke cenuar besueshmërinë e tij, për katër vjet i vetmi zë që ka qenë kundër sistemit të drejtësisë ka qenë zëri i Kurtit e i Haxhiut. Z.Kurti është ai që po e bllokon situatën”, u shpreh Gjini.

Ai ka kërkuar që VV-ja të vendosë Glauk Konjufcën apo ndonjë kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit.

“Nuk e di ku është qëllimi përfundimtar, por është e sigurt që është lojë absurde dhe ngërçin po e bënë Kurti dhe Vetëvendosje”, ka thënë ai.