Arbëri

Gjermania e shqetësuar nga përpjekjet për politizim të operacionit të FSK-së në veri

Gjermania dhe Kosova

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shprehur shqetësimin e thellë ndaj përpjekjeve për ta politizuar zbarkimin e sotëm të një ekipi të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit. 

Ekipi i FSK-së nxori trupin e pajetë të një mërgimtari, i cili ishte hedhur të dielën në Liqenin e Ujmanit dhe nuk doli. 

Në një komunikatë për media, Ambasada e Gjermanisë ka thënë se operacioni ishte lehtësuar nga KFOR-i dhe aprovuar nga komandati i KFOR-it dhe ishte strikt humanitar. 

“Humbja tragjike e jetës së një njeriu duhet të jetë një moment pikëllimi kolektiv, e jo një rast për të bërë pikë politike. Deklaratat e akterëve politikë që e paraqesin këtë mision si ‘operacioni i parë i FSK-së në veri të Kosovës’ keqinterpretojnë qëllimin dhe frymën e vendosjes së trupave. Po ashtu shqetësuese janë akuzat për imazhe të manipuluara -  konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për ta promovuar një narrativë të rrejshme. Veprime të tilla rrezikojnë ta minojnë besimin e publikut dhe ta shkëpusin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit. Ambasada e Gjermanisë përsërit mbështetjen e saj të plotë për KFOR-in dhe mandatin e tij, dhe shpreh mirënjohjen e sinqertë për të gjithë personelin e KFOR-it dhe FSK-së të përfshirë në angazhimin e sotëm për nxjerrjen e trupit. Profesionalizimi dhe bashkëpunimi i tyre shërbejnë si një kujtesë për atë që mund të arrihet kur institucionet punojnë së bashku në shërbim të dinjitetit njerëzor”. 

Lëvizja Vetëvendosje, në një postim në Facebook, kishte shkruar se “FSK-ja për herë të parë si ushtri në veri të vendit”, ndërsa kishte përcjellë me foto pamje të ekipit të FSK-së si dhe deklaratën e ministrit të Mbrojtjes në detyrë Ejup Maqedonci.