Besar Gërgi nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) ka paralajmëruar se mungesa e institucioneve të reja dhe vonesat në ratifikimin e marrëveshjeve në Kuvend mund të rrezikojnë përfitimin e plotë të fondeve nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian.
“Plani i Rritjes është projekti më i rëndësishëm për Kosovën, me 883 milionë euro të alokuara për vendin tonë. Por çdo zvarritje është e dëmshme për ekonominë. Deri në fund të vitit 2028 duhet të zbatohen të gjitha masat – në të kundërtën, fondet nuk merren”, ka thënë Gërgi në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai theksoi se marrëveshjet nga Plani i Rritjes që nuk ratifikohen në Kuvend brenda afateve, rrezikojnë të mos zbatohen në kohë, duke bërë që fondet përkatëse të tërhiqen nga Kosova dhe të rishpërndahen në vende të tjera të rajonit.
“Ta zëmë, nëse Kosova ka pasur një masë ta zbatojë në dhjetorin e kaluar dhe nuk e kemi plotësuar, sepse nuk e kemi ratifikuar marrëveshjen, ka një periudhë prej dy vjetësh, nëse nuk zbatohet masa deri atëherë ato fonde tërhiqen nga Kosova dhe mund t’i rishpërndahen vendeve të tjera”, ka thënë Gërgi, duke u bazuar në marrëveshjen për Planin e Rritjes dhe rregulloren e Komisionit Evropian.
Ai ka thënë se do të ishte situatë shumë e keqe nëse do të shkohej në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Nëse edhe në vitin 2025 nuk kemi institucione funksionale, atëherë i gjithë ai vit do të humbet për Planin e Rritjes. Më pas, në 2026-ën do të kemi për të zbatuar masa të prapambetura, përveç atyre të vitit të ri. Do të ishte agjendë e ngjeshur”, shtoi ai.
Të premten për herë të 31-të dështoi konstituimi i Kuvendit.