Arbëri

Gërgi: Integrimi evropian të mbetet nën udhëheqje të fortë politike në Kryeministri

Besar Gërgi

Besar Gërgi nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), ka deklaruar se Kosova ka mbetur prapa në zbatimin e obligimeve që dalin nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi tre nga shtatë afatet e parapara tashmë janë përmbyllur.

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Gërgi ka thënë se në qeverinë e kaluar ishte përmendur mundësia që procesi i integrimit evropian të zhvendosej në kuadër të Ministrisë së Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një ide që sipas tij do të kishte qenë jo e duhur.

“Në qeverinë e kaluar është përmendur që integrimi evropian të zhvendosej në Ministrinë e Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që do të ishte shumë negative sepse këto dy fusha nuk përputhen mes vete, si dhe largimi i departamentit të integrimit evropian nga Zyra e Kryeministrit do ta vështirësonte rolin koordinues që e kanë këto institucione”, ka theksuar ai. 

Megjithatë, bazuar në atë që është prezantuar deri më tani në publik, departamentet përkatëse pritet të mbesin në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, gjë që Gërgi e cilëson si zhvillim pozitiv.

Ai ka nënvizuar se për të shtyrë përpara reformat e nevojshme, është e domosdoshme që procesi i integrimit të udhëhiqet nga një figurë me peshë politike brenda Kryeministrisë.

“Është shumë e rëndësishme, gati-gati e domosdoshme që një person që funksionon në kuadër të Kryeministrisë, të ketë një udhëheqësi politike në krye të këtyre institucioneve në mënyrë që të marrë një peshë të rëndësishme dhe të vazhdohet me hapa të reformave”, ka deklaruar ai. 

Ai ka përmendur si mundësi që rolin e drejtuesit të integrimeve evropiane ta marrë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca.

“Duke qenë se si zëvendëskryeministër i parë, Besnik Bislimi ka pasur detyrën, pra titullin për integrime evropiane, kjo ka pasur një lloj efekti pozitiv sa i përket koordinimit të institucioneve dhe qeveria që është formuar tani duhet ta konsiderojë që të ketë një rol të ngjashëm edhe në të, pse jo ta marrë këtë rol zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca”, ka thënë ai.