Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ndarë çmimet vjetore për gazetari në 8 kategori të ndryshme. Çmimin për raportimin më të mirë në shëndetësi e mori gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj. Ndërkaq gazetarë të vitit u zgjodhën Alberta Hashani e Vullnet Krasniqi.
Dokumentari “Rruga e infeksioneve” i gazetares së KOHËS, Saranda Ramaj, e ka marrë çmimin për raportimin më të mirë në shëndetësi, i ndarë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Ky dokumentar flet për mungesën e investimeve në nyjat sanitare në QKUK, menaxhimin e higjienës nga kompania private dhe mungesën e plotë të kontrollit të infeksioneve spitalore.
Storia shtjellon se si spitali më i madh publik në Kosovë, nuk ka as evidencë e as plan se si t’i adresojë këto problematika.
Ramaj e vlerësoi tejet të rëndësishme që AGK-ja për herë të parë e ndan çmimin për shëndetësi.
“Raportimi për shëndetësi është një nga raportimet më të rëndësishme që gazetarët mund të bëjnë. Kështu që përmes këtij çmimi besoj që do të ketë efekt që numri i gazetarëve në këtë sektor shumë të rëndësishëm dhe jetik, të rritet”, theksoi Ramaj.
Në këtë ceremoni, çmimi për gazetarin e vitit iu nda dy gazetarëve. Atë e ndanë gazetarja e Betimit për Drejtësi, Alberta Hashani dhe gazetari i Nacionales, Vullnet Krasniqi.
Ndërkaq, kameramani i vitit u shpall Arben Hoti nga Radio Evropa e Lirë.
Çmimi për storien më të mirë në TV iu nda dy gazetarëve të Kallxo.com, Behar Mustafa e Valon Fana.
Çmimin për fuqizimin e gruas e morën autorët e një shkrimi në Kosovo 2.0, Dardan Hoti e Aulonë Kadriu.
Kadriu mori edhe çmimin për web-storien më të mirë të vitit.
Storja me e mire rreth Anti-gjipsizmit iu shpërblye Herolind Ademit nga Klan Kosova dhe Besarta Hotit nga Nacionale.
E raportimin më të mirë nga sporti e mori gazetarja Vjosa Cerkini.
Për 8 kategoritë e shpërblyera në AGK-janë dorëzuar 84 aplikime.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, i ka falënderuar të gjitha ekipet e mediave që kanë punuar në një vit, që ai e ka vlerësuar si sfidues. Tha se AGK-ja ka regjistruar numër rekord të sulmeve ndaj pjesëtarëve të mediave – 70 të tilla.
E Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se ndarja e shpërblimeve për gazetarët, është “formë njohjeje për punën e tyre, që zakonisht kryhet në kushte të vështira".