Arbëri

Gazetari i KOHËS, Faton Polisi merr çmimin e KOMF-it për mbrojtjen e fëmijëve

FATON POLISI

Gazetari i KOHËS, Faton Polisi ka marrë çmim për gazetari nga Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, për fokusin në të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, për vitin 2025.

KOMF-i, në një ceremoni të mbajtur të enjten, ndau tri çmime vjetore në fushën e gazetarisë dhe tri mirënjohje vjetore me titull “Mik i Fëmijëve”.

Polisi e mori çmimin për storien “Sara, futbollistja që frymëzon”.

Pos Polisit, çmime kanë marrë edhe Besian Beha, Albijona Hoxhaj dhe Herolind Ademi.

“Është hera e dytë që vlerësohem për gazetari nga KOMF-i. Por kësaj radhe ky çmim bëhet më i veçantë sepse përkon me lindjen e vajzës sime të katërt. Faleminderit familjes për mbështetjen dhe kolegëve për bashkëpunimin. Krahas ngjarjeve ditore, ne si redaksi e sportit u japim hapësirë të madhe edhe sportistëve që frymëzojnë. E tillë është edhe Sara, e cila ka vazhduar ta ndjek ëndrrën e saj të bëhet futbolliste pavarësisht shumë sfidave”, ka thënë Polisi gjatë ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve.

U ndanë edhe mirënjohjet “Miqtë e Fëmijëve”.