Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) kanë protestuar të martën para Kuvendit ndaj mungesës së alokimit të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit, duke i lënë pa paga.
Punëtorët mbanin në duar pankarta të ndryshme.
“Gazetarë pa pagë, demokraci pa zë”, “Pa RTK-në s’ka zë të qytetarëve”, “RTK-ja është e popullit, jo e politikës”, thuhet ndër disa prej pankartave.
Sipas njoftimit të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), institucionet përkatëse ende nuk kanë siguruar fondet e nevojshme për funksionimin e RTK-së, çka, sipas tyre, e ka vënë në rrezik serioz vazhdimësinë e transmetuesit publik dhe të drejtën për informim të qytetarëve.
“Institucionet kanë vazhduar me heshtje dhe neglizhencë, duke lënë punëtorët pa siguri dhe RTK-në në prag të kolapsit total”, thuhej në njoftimin e Sindikatës për protestë.
Sindikata ka paralajmëruar radikalizim të veprimeve nëse nuk u dalin pagat.
Si veprim të parë kanë thënë se do të bojkotojnë mbulimin e ngjarjeve politike.
“Për aq kohë sa transmetuesi publik injorohet dhe lihet pa mjete për funksionim, mbulimi i ngjarjeve politike do të bojkotohet”, theksoi Sindikata.