Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk është konstituuar as në tentimin e 26-të. Megjithatë, në këtë përpjekje ka pasur një ndryshim. Kryesuesi Avni Dehari ka njoftuar se seanca e ardhshme do të mbahet të enjten, qysh nesër. Kjo zhvendosje nënkupton mundësinë e pushimit për festën e Bajramit, të premten e 6 qershorit. Madje qysh para votimit, Dehari ftoi përfaqësues të partive për t’u marrë vesh për “seancën e ardhshme”.
Basha: Ne e kemi bllokuar Kuvendin për kauza, opozita për Haxhiun
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka thënë se duhet të bëhet e qartë se në seancat plenare që po mbahen tash e 26 herë për konstituim të Kuvendit, nuk po votojnë për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryeparlamentare, por për Komisionin zgjedhor.
Në adresimin për media pas dështimit të seancës së sotme, Basha ka thënë se LVV-ja e ka bllokuar Kuvendin për kauza, ndërsa opozita e tanishme për Haxhiun.
“Për qytetarët është me rëndësi që ta kuptojnë se ne nuk po votojmë për Albulenën, por për Komision zgjedhor”, ka thënë ai.
Basha ka shtuar se Kosova do të kishte punuar shumë më mirë sikur opozita të kishte të njëjtin zell edhe për të kundërshtuar Zajednicën e Gjykatës.
“Ne e kemi bllokuar për kauza, ata e bllokojnë për Albulenën. Nëse do ta kishin pasur të njëjtin zell për të kundërshtuar Zajednicën e Gjykatës Speciale, siç po e kundërshtojnë Albulenën, Kosova do t’i kishte punët shumë më mirë”, ka shtuar ai.
Limaj: Po afrohet koha, do të kemi marrëveshje politike
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, pas përfundimit të seancës konstituive, ritheksoi se dalëngadalë po afrohet koha që Kosova të ketë institucionet e saja.
Sipas tij, është e qartë se do të ekzistojë një marrëveshje politike që do t’i japë Kosovës institucionet e saj.
“Dalëngadalë po afrohet koha që Kosova të ketë institucionet e saja. Është e qartë se do të kemi një marrëveshje politike që do t’i japë Kosovës institucionet e saj. Ne si subjekt kemi ofruar një mundësi mbi bazën e kapaciteteve tona, për të qenë të përgjegjshëm dhe për të dhënë kontributin tonë”, ka thënë ai.
Haxhiu për moskonstituim: Ka inat të pakuptueshëm
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk po kërkojnë që deputetët të cilët ishin në opozitë mandatin e kaluar të votojnë për emrin e saj si kryekuvendare. Ka shtuar se mund të votojnë edhe kundër edhe të abstenojnë.
Sipas saj, ka alternativa se si mund të vazhdojnë tutje.
“Ka një inat që është i pakuptueshëm, që nuk i bën mirë vendit sepse është e rëndësishme që të gjithë deputetet të marrin pjesë në votim dhe jo të vijnë e të mos bëjnë asgjë”, ka thënë ajo.
Çitaku: U kurdis seanca për akomodim të nevojave të deputetëve
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se në seancën e sotme për konstituim të Kuvendit, e cila sërish dështoi, është kurdisur seancë për akomodim të nevojave të deputetëve, por nuk po mund të arrihet marrëveshje për të mirë të qytetarëve.
Në adresimin për media pas dështimit të përpjekjes së 26-të, Çitaku ka thënë se kjo është për keqardhje, teksa ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për kryeneçësi.
“Fatkeqësisht asgjë të re për të dhënë, Kosova vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të kryeneçësisë politike të Lëvizjes Vetëvendosje. Sot dështuam sërish të konstituojmë Kuvendin. Sot pati përpjekje dhe fatkeqësisht u kurdis seanca për të akomoduar nevojat e deputetëve e nuk po arrijnë që të bëjnë marrëveshje për të mirën e qytetarëve. Për keqardhje. Kërkoj ndjesë”, ka thënë ajo.
S’pajtohen për konstituim, deputetët do të mblidhen prapë nesër
Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk është konstituuar as në tentimin e 26-të. Megjithatë, në këtë përpjekje ka pasur një ndryshim. Kryesuesi Avni Dehari ka njoftuar se seanca e ardhshme do të mbahet të enjten, qysh nesër. Kjo zhvendosje nënkupton mundësinë e pushimit për festën e Bajramit, të premten e 6 qershorit.
Madje qysh para votimit, Dehari ftoi përfaqësues të partive për t’u marrë vesh për “seancën e ardhshme”.
Edhe këtë të mërkurë, dështoi formimi i komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Për ishin 53 deputetë dhe një votoi kundër.
Haradinaj: Jemi të gatshëm ta votojmë sot nëse e ndërrojnë emrin e kandidatit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka thënë se janë të gatshëm ta votojnë sot kryetarin e Kuvendit nëse Lëvizja Vetëvendosje e ndryshon emrin.
Ai ka thënë se AAK-ja ka propozuar dy emra për kryetar të Kuvendit para se të nominohej Albulena Haxhiu.
“Një njëri që i mban dy pozita, vjen si deputet dhe e mban rolin e kryeministrit, kjo është e jashtëligjshme”, ka thënë ai për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Limaj optimist se institucionet do të krijohen shpejt
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se ngërçi institucional nuk po sjell asgjë të re, pasi propozimi për formimin e institucioneve është përsëritur tashmë 26 herë. Sipas tij, zgjidhja qëndron në krijimin e një shumice parlamentare që do t’i japë fund bllokadës.
“Tashmë që propozimi është bërë 26 herë, nuk besoj se ka diçka të re. Vendi duhet të ketë një shumicë parlamentare,” ka deklaruar Limaj.
Ai shtoi se Nisma Socialdemokrate ka ofruar një mundësi për të ndihmuar në krijimin e institucioneve, sepse vendi ka nevojë për funksionalitet, pavarësisht formës së konstituimit.
“Nisma ka ofruar një mundësi për faktin se vendi ka nevojë të ketë institucione funksionale, pavarësisht se si krijohen ato. Ne kemi dashur të kontribuojmë, duke kuptuar nevojën për institucione, dhe duke qenë se ato mund të krijohen vetëm përmes një shumice parlamentare, ne si parti politike – me votën që kemi – kemi dashur të jemi të përgjegjshëm para qytetarëve të Kosovës,” tha ai.
Në përfundim, Limaj u shpreh optimist, duke thënë se institucionet nuk do të vonojnë gjatë.
“Jam i bindur se Kosova shumë shpejt do t’i ketë institucionet e saj,” përfundoi Limaj.
Sot mbahet përpjekja e 26-të për konstituim.
Hasani: VV-ja s’e meriton votën për shkak të mosmbështetjes në rastin e Speciales
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka thënë se nuk do ta mbështeste një qeveri me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, kjo parti nuk është treguar korrekte ndaj procesit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Atje nuk është Hashimi. Atje është presidenti i vendit dhe ushtria e Kosovës. Ata që e përmbushin kërkesën për mbështetje, e kanë mbështetjen time”, ka thënë ai.
Hasani ka thënë se ka pasur kërkesa nga VV-ja që ta mbështesë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ka shtuar se e ka refuzuar.
Bogujevci: Ka deputetë që do ta votonin Haxhiun me votim të fshehtë
Saranda Bogujevci, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se ka pasur deputetë që kanë shprehur gatishmëri për të votuar kandidaten e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ajo është shprehur para tentimit të 26-të të Kuvendit për konstituim se shpreson që Kushtetuesja të mos vonojë opinionin për çështjet e ngritura.
“Nëse duam të ecim përpara edhe të konstituojmë Kuvendin, deputetët duhet të votojnë si e përcakton Kushtetuta. Ne shpresojmë që s’merr shumë kohë të gjatë edhe opinioni i Kushtetueses. Por mendoj që janë të qarta rregullat me Kushtetutë dhe ligjet”, ka thënë ajo.