Me mbylljen e lokaleve dhe dorëzimin e çelësave para Qeverisë së Kosovës gastronomët të hënën do të shprehin pakënaqësinë lidhur me masat kufizuese të Qeverisë për këtë sektor.
Gastronomët konsiderojnë se Qeveria. edhe pse ka vazhduar me shtrëngim të masave, nuk ka bërë asnjë lehtësim për këto biznese.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, tha se shumica e lokaleve shkaku i pandemisë dhe masave të ndërmarra, janë në prag të falimentimit dhe se janë detyruar të zvogëlojnë edhe stafin.
Aksioni simbolik i gastronomëve do të fillojë në orën 12:00 para ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit, ndërsa lokalet do të qëndrojnë të mbyllura rreth një orë në gjithë Kosovën.
Këtij aksioni do t’i bashkëngjiten edhe gastronomët nga komunat e tjera të Kosovës.
Gastronomët, gjatë aksionit do të paraqesin tetë kërkesa drejtuar Qeverisë. Në mesin e kërkesave është riprogramimi i kësteve të kredisë, lehtësira për qasje në mjete financiare, përkrahje për paga dhe qira edhe për së paku tre muaj, ulje të TVSH-së përkohësisht në 8 për qind, zgjatje të orarit të punës, shtyrje për deklarim të pagesave të tatimeve për së paku edhe tre muaj, mbështetje në shpenzimet e rrymës, ujit dhe mbeturinave, si dhe mbështetje në kompensim të mallit të dëmtuar.
Më 6 korrik, Qeveria Hoti kufizoi orarin, duke mos lejuar punën pas orës 21:00 deri në orën 05:00. Po ashtu gastronomëve nuk u lejohet shërbimi i klientëve në hapësira të mbyllura.