Arbëri

Gashi: Ky qershor me më së shumti intervenime krahasuar me 10 vjetët e kaluar

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Malë Gashi, ka thënë se krahasuar me 10 vjetët e kaluar, muaji qershor i këtij viti ka shënuar më së shumti raste të zjarreve fushore-malore.

Derisa ka folur për djegien e tokës bujqësore si pasojë e temperaturave të larta, Gashi ka thënë se numri i zjarreve po rritet drastikisht. 

“Krahasuar me vitet e kaluara për 10 vjetët e fundit, këtë vit e kemi muajin qershor që ka pasur numër shumë të madh të intervenimeve në zjarret fushore-malore. Në qershor i kemi pasur mbi 310 intervenime, ndërsa vetëm për këto 7 ditë të muajit korrik i kemi 134 intervenime, shumica prej tyre, mbi 90 intervenime, janë në zjarre fushore-malore. Është numër që po rritet drastikisht”, ka thënë ai për emisionin “SOT”.

Ai ka bërë apel për qytetarët që të tregohen të kujdesshëm ndaj mjedisit. 

“Vetëm dje i kemi pasur 30 intervenime në zjarre fushore-malore. Për një kohë të shkurtër shpërthejnë disa vatra në disa lokacione të ndryshme. Edhe vikendin e kaluar i kemi pasur më shumë se 30. Bëj apel te të gjithë qytetarët që të kenë kujdes, mos të hedhin mbeturina sepse janë burim i zjarrit”, ka thënë tutje ai.