Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tha se Serbia po vazhdon të pengojë procesin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe se po kërkon të rishikojë termat e referencës të dakorduara në dhjetor të vitit 2024.
Gara në intervistë për Ekonomia Online tha se institucionet e Kosovës kanë trajtuar vazhdimisht çështjen e të pagjeturve si prioritet dhe se Serbia po e politizon këtë temë.
“Ajo që mund të thuhet është fakti që institucionet e Kosovës, Komisioni qeveritar, delegacioni i Kosovës dhe gjitha institucionet e shtetit, në vazhdimësi kanë adresuar çështjen e personave të zhdukur si çështje prioritare. Pashmangshëm pothuajse në të gjitha takimet e edhe të nivelit dialogues, por edhe trajtimet e tjera të nivelit të lartë. Edhe në takimin e fundit pashmangshëm një nga çështjet e adresuara me shumë prioritet mbetet çështja e personave të zhdukur.
Duke folur për qasjen e Serbisë, Gara shtoi se ajo vazhdon të pengojë procesin duke politizuar çështjen e të zhdukurve.
“Serbia ka shfaqur atë përpjekjen e saj të vazhdueshme për politizim edhe të çështjeve, këtë rast edhe të temës së personave të zhdukur që rrjedhimisht kjo kërkesë para së gjithash nënkupton një mosgatishmëri për të zbatuar ose për të adresuar zotimet që janë paraparë në deklaratën e datës 2 maj dhe pashmangshëm në mesin e zotimeve ose zotimit kyç në këtë rast përfshihen edhe zotimet për hapjen e arkivave të institucioneve të Serbisë, përgjegjëse për krimet e përmasave gjenocidiale apo edhe zotimet për adresim pa vonesë të gërmimeve të lokacioneve tani më të shënuara në territorin e Serbisë”, tha ai.
Ai theksoi se Serbia po vonon procesin dhe po sfidon rëndë familjet e personave të zhdukur.
Më 11 shtator, raundi i ri i dialogut për normalizim të raporteve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel ka përfunduar pa ndonjë përparim, me Kosovën që ka insistuar për zbatimin në tërësi të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq Serbia ka kërkuar që fillimisht të zbatohet pjesa që ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë pas takimit me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, dhe emisarin evropian, Peter Sorensen, se ka insistuar që të zbatohet veçmas çështja që ka të bëjë me komisionet për të pagjeturit.
Por, Bislimi tha se nuk u arrit që të themelohet një komision për të pagjeturit për shkak se Serbia me gjasë “është tërhequr nga marrëveshja për termat e referencës, të cilën e kemi përfunduar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, duke thënë se ata duan që edhe një herë të ndërhyjnë në dokument, gjë që nuk është pranuar nga Brukseli dhe as nga pala jonë”.
Komisioni për të pagjeturit është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Më 17 dhjetor 2024, Kosova dhe Serbia u pajtuan që ta zbatonin këtë deklaratë.